Është zhvilluar në Tiranë, ceremonia e promovimit të librit me titull “Tirana, prefektët dhe nënprefektët e saj, 1912-2017, botim ky i mbështetur nga Fondacioni “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), raporton Anadolu Agency (AA)
Në këtë aktivitet merrnin pjesë ministrja Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi, ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Mejdani, kryetari i ALSAR-it, Mehdi Gurra, ish-prefektë, familjarë të tyre dhe shumë të ftuar.
Kryetari i fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, në fjalën e tij ka shpalosur disa informacione mbi veprimtarinë e fondacionit që ai drejton duke thënë se ky është botimi i tyre i 103-të.
Gurra nuk ka lënë pa përmendur edhe donatorët e organizatës që ai drejton duke veçuar ato nga Turqia të cilët sipas tij janë shtylla e punës së këtij fondacioni.
Ndërkohë një fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet ka mbajtur edhe ministrja Kodheli, e cila ka ushtruar detyrën si prefekte e Tiranës nga 7 janar 2005- 21 maj 2005.
Duke thënë se edhe pse nuk i përket familjeve tradicionale tiranase, ajo është bijë e këtij qyteti, Kodheli u shpreh se “Tirana nuk mund të jetë dhe nuk mund të ishte vetëm i autoktonëve pasi në të kanë jetuar qytetarë nga të gjitha trevat. Është qarku më i larmishëm.”
Kodheli në vijim ka falënderuar organizatorët, ndërsa botimin e ka konsideruar si një pjesë e rëndësishme e historisë së Prefekturës së Tiranës.
Në këtë ceremoni ka mbajtur një fjalë përshëndetëse edhe prefekti aktual i Tiranës, Sadi Vorpsi. “Përmes këtij botimi ne nuk shtojmë thjesht një libër në bibliotekë, por nderojmë figurat e këtij institucioni. Një libër i tillë është pasuri dhe kjo nuk ka asnjë diskutim, tha Vorpsi.
Pas ceremonisë fondacioni ALSAR ka shpërndarë edhe librin e promovuar gjatë këtij aktiviteti.
Libri përmban informacione rreth historikut të Tiranës, formimit të qytetit, si dhe një katalog mbi të gjithë emrat e prefektëve nënprefektëve të cilët kanë kryer detyrën në drejtimin e Tiranës. Libri pasqyron shkurtimisht biografinë e 19 nënprefektëve dhe 24 prefektëve të Tiranës.
Ndërkohë fondacioni ALSAR ka zhvilluar dhe më parë projekte të ngjashme ku në fokus kanë qenë drejtuesit e Bashkisë së Tiranës. Në botimin e titulluar “Kryetarët e Tiranës”, me autor Valter Gjoni, pasqyrohet biografia dhe aktiviteti i kryetarëve të Bashkisë së Tiranës ndër vite.
Huazuar nga AA – Shqip