Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimit në rastin e përgjimeve, i cili fillimisht është iniciuar kundër të pandehurit Adem Grabovci, deputet dhe ish-kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Hetimet janë zgjeruar edhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë: A.P. ish- Shefe e Njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi, ish- sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Besim Beqaj, ish- ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, Njazi Kryeziu ish – kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit, Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Shurdhaj. ish – zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe S.G ish – Këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Të gjithë të pandehurit dyshohen për kryerjen e dy veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK dhe Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.