Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër arrestit ndaj Milan Radoiçiqit i cili ishte i dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Sipas një dokumenti që ka siguruar Telegrafi, thuhet se vendimi është marrë me 23 shkurt të këtij viti, ndërkaq urdhër arresti ishte lëshuar më 14.08.2020.
“Gjykata më datë 19.02.2021 e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhërarestit ndaj të dyshuarit, ka konstatuar se kërkesa është e arsyetuar mirë dhe e bazuar konform dispozitës së nenit 173 paragrafi 3 të KPPRK-së.
Më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiq i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.
Lideri i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje mëngjesin e 16 janarit të vitit 2018.
Që nga ajo kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka arritur t’i dëgjojë 40 dëshmitarë dhe t’i identifikoje tre persona që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e tij./Telegrafi/