Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar me një komunikatë për media se sot është marrë vendim për fillimin e hetimeve lidhur me dy vepra penale kundër Adem Grabovcit, deputet dhe ish udhëheqës i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Hetimet nisin si pasojë e përgjimeve telefonike të publikuara në media, ku personazh është Grabovci dhe figura tjera të PDK-së, transmeton Express.
“Vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës. Sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave.
Në bazë të këtyre veprimeve të Grabovcit, Prokuroria Speciale ka krijuar dyshim të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale në vazhdim: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 81 të këtij Kodi. Ai dyshohet se këtë vepër e ka bërë në bashkëkryerje me persona të tjerë, të paidentifikuar deri më tani.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj.
Grabovci dyshohet, po ashtu, që e ka kryer veprën penale në bashkëkryerje: Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 31 dhe 81 të këtij Kodi.
Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimit është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën online “Insajderi”, si dhe në disa prova të pranuara nga EULEX-i, që në bazë të urdhrit gjyqësor janë realizuar gjatë zhvillimit të një hetimi tjetër kundër tij nga prokurori i EULEX-it.
Hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci.” njofton Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.