Prokuroria Speciale e Kosovës dhe SPAK-u nënshkruajnë marrëveshje për hetime të përbashkëta

Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive.

Sipas Prokurorisë Speciale, qëllimi i kësaj marrëveshjeje parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim ndërmjet prokurorive, në fusha të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

“Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve”, thuhet në komunikatë.

Kjo marrëveshje është vlerësuar si hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kryeprokurori Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e kanë vlerësuar të rëndësishme, duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë në mes të dy institucioneve të drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.