MADRID (AA) – Hose Mourinho, që aktualisht mban pozitën e trajnerit në Manchester United dhe më parë të Realit të Madridit, është akuzuar të martën nga prokurorët spanjollë se ka mashtruar Thesarin e Shtetit me 3.3 milionë euro, në periudhën kohore 2011 dhe 2012, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç shkruajnë shumë media spanjolle, prokurorët thonë se trajneri portugez ka përdorur subjekte në Ishujt e Virgjër Britanikë dhe në Irlandë për të shmangur pagimin e tatimit në Spanjë.
“Të gjitha këto struktura janë vënë në përdorim nga i akuzuari me qëllim të fshehjes të të ardhurave që i vinin nga të drejtat për imazhin e tij”, tha Ministria e Thesarit e cituar nga mediat e vendit.
Rasti kundër Mourinhos vjen vetëm një javë pasi prokurorët akuzuan yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo për shmangien e tatimit në vlerë prej 14.7 milionë eurosh.
Zyrtarët thanë të martën se Ronaldo do të dëshmojë më 31 korrik. Pohimet e evazionit fiskal janë bërë një epidemi në futbollin spanjoll.
Vitin e kaluar, Lionel Messi, futbollisti i Barcelonës, i lindur në Argjentinë, u shpall fajtor për mashtrim në Spanjë për 4.1 milionë euro në tatime. Atij iu shqiptua dënim me burg prej 21 muajsh.