Prokuroria për vrasjen e rëndë në Prishtinë: I dyshuari është ndaluar për 48 orë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në Prishtinë, ku G.M., dyshohet se theri për vdekje vëllain e tij A.M..

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga policia dhe trupi i pajetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë autopsia.

“Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurorja kujdestare dje në mbrëmje nga Policia e Kosovës është njoftuar se në rrugën ‘Tirana’ në Prishtinë ka ndodhur një therje me thikë ku viktima ka ndërruar jetë në vend të ngjarjes. Prokurorja kujdestare ka dalë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me hetuesit policor kanë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me urdhër të prokurorit të shtetit është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes nga Policia e Kosovës, po ashtu me urdhër të Prokurorit trupi i pa jetë i gjetur në vendin e ngjarjes është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për të iu bërë autopsia”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar, derisa bëhet e ditur se motivet dhe rrethanat tjera për momentin janë të panjohura.

“Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit është ndaluar një (1) person. Brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin për këtë rast”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë. /teve1