Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet për „Vjedhja multi-milionëshe në tatime“, temë kjo e diskutuar në emisionin “Jeta në Kosovë”.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën thuhet se me vëmendje ka përcjellur emisionin “Jeta në Kosovë“, të transmetuar më 17.11.2016, në RTK, me temë diskutimi: „Vjedhja multi-milionëshe në tatime“.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron opinonin publik se, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore, me qëllim të zbardhjes së plotë të asaj që pretendohet se ka ndodhur dhe nëse konstatohet se dikush ka shkelur ligjin, ndaj atyre personave do të veprohet në pajtim me të gjitha dispozitat ligjore relevante”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit inkurajon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në pajtim me ligjin, të gjitha dëshmitë, provat dhe informatat që kanë, t’i ndajnë me institucionet kompetente, pasi që një gjë e tillë është edhe një detyrë qytetare.