Prokuroria merret me Xhavit Halitin dhe Arben Gashin

Debati ofendues që qoi edhe në përleshje fizike në mes të nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti dhe deputetit të LDK-së, Arben Gashit, kanë vënë në lëvizje Prokurorinë e Shtetit.

Nga kjo e fundit tashmë është dhënë urdhri për nisjen e hetimeve, si dhe intervistimin e dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Vetëm gjatë ditës së sotme hetuesit e Policisë së Kosovës dy herë e kanë vizituar objektin e Kuvendit. Kishin shkuar për ta marrë në pyetje Xhavit Halitin e PDK-së e Arben Gashin e LDK-së, për konfliktin fizik të cilin e kishin pasur të premten që shkoi. Por hetuesit u kthyen zbrazur nga Kuvendi. Aty nuk arritën që ta marrin në pyetje asnjërin nga të zgjedhurit e popullit.

E urdhrin për t’i marrë në pyetje deputetët pas konfliktit të ndodhur e ka dhënë kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka.

Ndërkohë deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se është penduar për sjelljen dhe fjalorin e përdorur në Kuvend, duke sqaruar se sjellja e tij nuk e përfaqëson rolin e tij në Kuvend.