Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon Kuvendit autorizim për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit. Në njoftimin zyrtar thuhet se aktualisht janë duke u kryer hetime për një grup kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kanabisi.
Por krahas heqjes së imunitetit Prokuroria kërkon nga Komisioni i Mandateve të Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimn, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal të banesës për ish ministrin e Brendshëm.
Njoftimi zyrtar
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sattiva nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.