Prokuroria: Kemi intervistuar mbi 40 dëshmitarë për vrasjen e Ivanoviqit

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për aksionin e sotëm në veri të Mitrovicës, që rezultoi me arrestimin e katër personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë se gjatë grumbullimit të provave për rastin në fjalë kanë hasur në shumë vështirësi, raporton Indeksonline.

“Kemi grumbulluar prova, por i kemi dëgjuar edhe një numër të konsiderueshëm dëshmitarësh, mbi 40 dëshmitarë kryesisht nga veriu. Prokuroria deri më tani ka grumbulluar provua deri në atë masë sa vetëm edhe me një urdhër kontroll mund të sigurohej edhe ndonjë provë tjetër lidhur me vrasjen e Ivanoviqit. Më 21.11.2018 gjyqtari i procedurës ka lëshuar urdhëresë për kontroll të M.S dhe M.R, ndërkaq sic u tha nga policia, përveç zbatimit të urdhrit për kontroll, kanë qenë të detyruar të ndalojnë edhe një person që gjatë punës i ka penguar në punë”, ka thënë Hoxha.

Ai ka njoftuar se M.R nuk është gjet në banesë gjatë bastisjes dhe se procedura ndaj tij do të zhvillohet sic e parasheh kodi i procedurës penale.

“Gjatë bastisjes për shkak të vështirësive nuk është arritur të arrestohet edhe një person S.A, të cilin është e autorizuar polica edhe në këto momente ta arrestoj e të vazhdohen me procedura tjera. Në këtë fazë shkojmë vetëm me iniciale, po zhvillojmë hetime ndaj të dyshuarve që kanë ndihmuar në vepër. Ne jemi duke zhvilluar hetime dhe kemi pasur një zhvillim të arsyeshëm dhe të bazuar me të cilin kemi hapur edhe hetimet”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka shtuar se për epilogun dhe rrjedhën do të njoftohen me kohë, pasi mund të ndikohet në hetimet e rastit.

“I kemi hapur hetimet për vrasje të rëndë dhe njëri nga ta është edhe personi që ka qenë më herët i arrestuar. I ceka një kronologji të rastit, gjatë hetimeve, grumbullimit të provave kemi ardh deri në atë shkallë që s’kemi pasur mundësi tjera të veprimit, i kemi shtjerr të gjitha mundësitë tjera. E kemi përdor edhe këtë masë ligjore që është e paraparë me kod, përndryshe ne si prokurori nuk mund të dimë se kur qeveria do të vë taksa apo do të heq, apo kur do të zhvillohet ndonjë takim qeveritar. Ne punojmë sipas agjendës sonë, ne i koordinojmë veprimet tona, jemi të pavarur e s’kemi ditë çfarë vendime do të marrin organet ekzekutive të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Hoxha.

Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në konferencë foli për protestën e paralajmëruar nga serbët e Kosovës, për cka tha se do të kujdesen që të ruhet rendi dhe qetësia publike në vend.

Sipas tij, secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të protestoj dhe të shprehë pakënaqësitë e tij.