Ballina Lajmet Kosovë Prokuroria e Shtetit reagon pasi kryeprokurori Buzhala shpërndau pyetjet e testit për...

Prokuroria e Shtetit reagon pasi kryeprokurori Buzhala shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – “do të merren masa”

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka reaguar pas raportimit në media se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë.

Sipas “KALLXO”, pyetjet kanë qenë për testin me shkrim për bashkëpunëtor profesionalë, test i cili është mbajtur gjatë ditës së martë brenda objektit të ish-Rilindjes, ku është edhe Ministria e Drejtësisë.

Lidhur me këtë, ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Për dyshimet ndaj kryprokurorit Buzhala, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka kërkuar nisjen e hetimeve dhe suspendimin e tij.

“Lajmi i sotëm nga portali kallxo, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij”, ka shkruar ministrja e Drejtësisë në Facebook.

Tutje ajo thekson se janë të panumërta ankesat që pranojnë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë.

“Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen”, deklaroi Haxhiu.

Ndryshe, Ramiz Buzhala në mars të vitit të kaluar kishte aplikuar për të parin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ai raportohet se gjatë trajtimit të një rasti e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale e pronari i një biznesi të dënohet më pak.

Ndaj tij ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Exit mobile version