Prokurori shqiptaro-amerikan vë alarmin: Jam i turpëruar, në drejtësi s’ka ndershmëri

I pranishëm në aktivitetin “TED EX Tirana”, me moton: “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur”, eksperti i OPDAT për reformën në drejtësi, shqiptaro-amerikani Gjon Juncaj, është shprehur se qytetarët duhet të bëhen bashkë për drejtësinë.

“Nëna ime ishte e fiksuar për drejtësinë. Ajo thoshte se nëse bën diçka gabim, do të kesh probleme. Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz, viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë, se sa këtu në Shqipëri.

Jam veçanërisht i turpëruar, sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë, sepse është lënë të bjerë shumë poshtë”, ka thënë Juncaj.

Këshilltari juridik i Ambasadës Amerikane që ka qenë i angazhuar me reformën në drejtësi, thotë se ka ende shpresë./Konica.al/

“Por kam një ndjenjë që dua ta ndaj me ju, ajo është shpresa. Nuk mund t’ia dalim nëse nuk bëheni të gjithë bashkë. Duhet të kuptoni një gjë. Ju keni zë. Jeni shumë, ndërsa ata janë pak. Ka ardhur koha për të ndërtuar një vend për të cilin duhet të jeni krenarë”.

Juristi Juncaj ka shprehur shqetësimin për largimin e shqiptarëve nga atdheu i tyre. “Dua të jem i ndershëm me ju.

Jam i turpëruar për ata njerëz të pafytyrë, që kanë shkaktuar dhembje për njerëzit në disa sektorë, si në kujdesin shëndetësor dhe në atë të edukimit. Njerëzit kanë nevojë të shkollohen, pavarësisht kush janë”, tha Juncaj./Mesazhi/