Takimi “historik” po quhet ai i 4 shtatorit që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim amerikan. Delegacioni kosovarë ka shkuar i përforcuar mirë atje ku edhe do të prezantojë projekte madhore ekonomike. Vlera e projekteve parashihet tre miliardë dollarë.
Delegacioni ka filluar përgatitjet 10 ditë para nisjes për projekte që, sipas burimeve të lajmi.net, kapin vlerën e 3 miliardë dollarëve.
Hekurudha Prizren-Durrës, linja e gazit për energji Shkup-Prishtinë, stacioni multi modat që arrin vlerë 50 milionë dollarë do të jenë projekte që do të prezantohen në takimin e 4 shtatorit.
“Delegacioni i Kosovës ka filluar përgatitjet qysh para 10 ditëve. Do të ketë projekte madhore që do të prezantohen në Shtëpinë e Bardhë, që kapin vlerën e 3 miliardë dollarësh. Është Hekurudha Prizren-Durrës, linja e gazit për energji Shkup-Prishtinë, stacioni multi modat që arrin vlerë 50 milionë dollarë”, ka thënë ky burimi i lajmi.net.
Qëllimi i ktëji takimi, sic e ka thënë edhe këshilltari i posaçëm i Presidentit, Donald Trump, i cili tha të martën se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë këtë javë do të përqendrohen tek zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si një stimul për t’i shtyrë politikanët e dy vendeve të zgjidhin problemet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Këshilltari që foli me gazetarët me kusht që të mos identifikohej tha se gjithkush mund ta shohë se “kemi ngecur tek aspekti politik, duke folur gjithmonë për të njëjtat çështje, pa ndonjë përparim”.
“Presidenti Trump donte të shihte nëse duke u përqendruar tek zhvillimi ekononik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, kjo do të ndryshonte disi dinamikën e gjendjes, kështu që për më shumë se një vit, ne jemi përqendruar krejtësisht tek normalizimi ekonomik, për të gjetur një mënyrë që t’i nxisim palët që t’i lënë mënjanë çështjet politike”.
Ai përmendi marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor si shembuj, duke i quajtur ato “historike”.
Këshilltari i posaçëm i Presidentit tha se në bisedimet me Kosovën dhe Serbinë të enjten dhe të premten Shtetet e Bashkuara do të përpiqen “t’i çojnë më përpara këto marrëveshje.
Edhe kryeministri Hoti, para nisjes kishte thënë se në këtë takim do të rikonfirmohet se Amerika nuk e ka braktisur çështjen e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.”
Ndryshe, kryeministri Hoti me vetë në Uashington ka marrë edhe shtatë zyrtarë të tjerë të qeverisë, përfshirë zëvendësat e tij, Albulena Balajn e Nismës dhe Driton Selmanajn, ministren e Integrimeve Evropiane, Meliza Haradinaj, ministrin e Infrastrukturës Arban Abrashi dhe atë të drejtësisë Selim Selimi, gjithashtu atje është koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni si dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.
Mirëpo, edhe pse i gjithë takimi ka të bëjë me çështje ekonomike, si është e mundur që të mos jetë i pranishëm edhe personi më përgjegjës për ekonomi në Qeverinë e Kosovës – ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi?
Gjithë kjo ekipë, edhe pse analistë e profesorë vendor u cilësua si të panevojshme dhe e papërgatitur, do të prezantojnë projekte të mëdha infrastrukturore, në energji, në transport.
Nga ana tjetër delegacioni serb do të udhëhiqet nga presidenti, Aleksandar Vuçiq. Pjesë e tij do të jetë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq. Ministri i Financave, Sinisha Mali po ashtu do të jetë pjesë e delegacionit së bashku me kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Marko Cadezh.