Në aspektin ekonomik, viti 2016 është karakterizuar me disa përmirësime në aspektin legjislativ dhe sa i përket marrëveshjeve ekonomike.
Por, në terren nuk ka ndonjë përmirësim në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, pasi proceset ekonomike nuk kanë mundur të dalin nga dominimi i agjendës politike në Kosovë, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Megjithatë, si të arritur siç thonë ekspertët “në letër” përmendet fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Associimit, miratimi i Ligjit për Trepçën, Ligji për Investimet Strategjike, sigurimi i kodit telefonik ndërkombëtar +383.
Po ashtu, viti i kaluar, konsiderohet vit i një disipline financiare, ndaljes së nivelit të tenderomanisë masive, por edhe një forcim i partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare.
Rritja ekonomike ka qenë 3.6 për qind. Shkalla e papunësisë dhe varfërisë nuk ka shënuar ndonjë ulje të theksuar.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, ka vlerësuar se gjatë vitit 2016, ka pasur një përmirësim të Kosovës në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, ku Kosova është renditur në vendin e 60-të nga ai i 66-të që ka qenë më parë.
Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se zhvillimi ekonomik i vendit, përkundër një ambienti jo të përshtatshëm politik, është prioriteti i parë dhe kryesor i Qeverisë së Kosovës.
Ai në fund të muajit dhjetor, ka thënë se nëpërmjet politikave fiskale është arritur të zhvillohet një ambient i favorshëm për të bërë biznes.
“Kemi punuar në përmirësimin e legjislacionit, në eliminimin e burokracisë së tepërt, janë bërë dhe po bëhen investime në infrastrukturën fizike. Pastaj, ka filluar zbatimi i lehtësisë në qasjen në financa. Në këtë rast mund të përmendet që përmes Fondit për Garantimin e Kredive janë lëshuar 63 kredi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme”, ka thënë Mustafa.
Duke mos mohuar këto të arritura në aspektin legjislativ, përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se Kosova vazhdon të varet nga importi, evazioni fiskal, korrupsioni, rezultatet nga MSA-ja kanë penguar mosliberalizimin e vizave, investimet e huaja nuk janë të kënaqshme.
Udhwheqws i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në tregun e brendshëm nuk ka përmirësime të theksuara. Sipas tij, pakoja e re fiskale dhe përshkallëzimi mbi Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, nuk ka ndihmuar sa duhet sektorin privat.
“Nëse marrim dhe analizojmë tregun e brendshëm, më shumë se 2200 kompani janë mbyllur, si pasojë e politikave të këqija fiskale, ngarkesave tatimore të rënda. Dhe gjithë infrastruktura fizike e shtrenjtë për investime e që në këtë fushë ne kemi mbetur shumë mbrapa”, shprehet Shahini.
Por, kryetrari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë, se emëruesi i përbashkët i të gjitha mangësive në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit.
Ai thotë se edhe gjatë vitit që lamë pas, politika ka penguar zhvillimin ekomomik.
“Por dua të besoj se viti 2017, e vetmja mundësi që Kosova të arrijë stabilitet politik, stabilitet social, të përshpejtohen proceset integruese, por edhe të përmirësojë imazhin e vetë , është orienti drejt zhvillimit ekonomik, Në një zhvillim ekonomik në vitin 2017 është e pamundur të arrihet nëse nuk do të ketë ndarje të agjendës politike nga agjenda ekonomike”.
Gërxhaliu, konsideron se fokusi kryesor që autoritetet kompetente duhet të kenë në vitin 2017, është ulja e shkallës se papunësisë.
“Për Kosovën në vitin 2017, armiku kryesor i cili duhet të sulmohet është krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja ekonomike. Që të dyja këto nuk mund të arrihen pa investime dhe investitorë të huaj dhe për të gjitha këto duhet një promovim dhe forcim i diplomacisë ekonomike”, ka thënë Gërxhaliu.
Edhe Agim Shahini, shprehet se autoritet kompetente, në vitin 2017 ekonominë duhet ta shpallin prioritet dhe jo të mbetet nën hijen e agjendës politike.
Kurse, në fokus duhet të jetë sektori privat, konkretisht industria e prodhimit, rrjedhimisht rritja e eksportit dhe vendet të reja të punës.
“Pakoja e re fiskale që po paralajmërohet, që do të ndodhë vitin e ardhëm, nuk duhet të jetë reformë kozmetike, por reformë rrënjësore. Dhe reformë rrënjësore do të thotë të merren modalitet dhe praktikat e mira të shteteve fqinje. Dhe në këtë rast mund të them se Maqedonia, pavarësisht problemeve të ndryshme, në Ballkan është duke prirë në këtë fushë”.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ka disa projekte që do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.
“Për vitin e ardhshëm ka projekte të cilat janë në vazhdimësi, gjatë këtij viti është arritur të ketë produkte të reja bujqësore, të cilat edhe kanë rritur të hyrat buxhetore. Gjithashtu për vitin 2015 kemi një ngritje prej 4.1%, kurse për vitin 2016 ende nuk është matur. Por, mund të theksoj se kemi edhe një trend të uljes së papunësisë në nivel qendror dhe kjo na gëzon”, ka theksuar Isa Mustafa.
Ndryshe, buxheti i Kosovës për këtë vit, arrin në mbi 2 miliardë euro, kurse mbi 730 euro milionë janë ndarë që të shkojnë në investime kapitale.
Me këtë projekt, ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë se do të investojnë në shumë fusha si në bujqësi, infrastrukturë, tek forcimi i shtetit ligjor, në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë.
Edhe nxitja e investimeve dhe ndërtimi i politikave fiskale për një ambient më të përshtatshëm për biznes, janë prioritet, sipas ministrit Hoti për këtë vit.