Programi Botëror i Ushqimit: Shkurtimet e financimit vënë dhjetëra miliona njerëz në rrezik nga uria

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka paralajmëruar se shkurtimet e fondeve kanë vënë dhjetëra miliona njerëz në rrezik nga uria, transmeton Anadolu.

“Deri në 58 milionë njerëz rrezikojnë të humbasin ndihmën për shpëtimin e jetesës në 28 operacionet më kritike të agjencisë për reagim ndaj krizave, nëse nuk merren urgjentisht fonde të reja”, tha WFP-ja.

Aktualisht, tha agjencia e OKB-së, ajo po përballet me një rënie prej 40 për qind të financimit për vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar.

“Kjo ka pasoja të rënda për përpjekjet e saj për ndihmë ushqimore në nivel global, veçanërisht programet e ushqimit emergjent që mbështesin më të cenuarit”, paralajmëroi WFP-ja.

Duke komentuar këtë çështje, ndihmës drejtoresha ekzekutive e agjencisë për partneritete dhe inovacion, Rania Dagash-Kamara, tha se “ËFP-ja po u jep përparësi vendeve me nevojat më të mëdha dhe po shtrin racionet e ushqimit në vijën e parë të frontit”.

“Derisa po bëjmë gjithçka që është e mundur për të ulur kostot operacionale, mos gaboni, ne po përballemi me një shkëmb financimi me pasoja të rrezikshme për jetën”, tha Dagash-Kamara.

Ndër 28 operacionet më kritike të agjencisë për përgjigjen ndaj krizave janë Libani, Sudani, Siria, Sudani i Jugut, Çadi, Afganistani, Miamnari, Ugana, Nigeri, Burkina Faso, Republika Demokratike e Kongos, Jemeni, Mali, Bangladeshi, Venezuela, Haiti, Mozambiku, Nigeria, Somalia, Kenia, Ukraina, Malawi, Burundi, Etiopia, Palestina, Republika e Afrikës Qendrore, Jordania dhe Egjipti.