Profil/ Kush ishte Mulla Asllan Murati, imami intelektual dhe atdhetar që sot ndërroi jetë

Nga sot nuk jeton më kryeimami i Mitrovicës, Asllan Murati, jeta dhe puna e të cilit do të kujtohet gjatë falë gjurmëve që ka lënë pas.

I lindur në pikun e Luftës së Dytë Botërore, por i pjekur me luftëra që më pas e formësuan jetën e tij, Mulla Asllan Murati jetoi plot 76 vjet duke bërë më të mirën për komunitetin në qytetin e tij në Mitrovicë por edhe më gjerë.

Lindi më 12 shkurt 1943 në fshatin Zhabar i Poshtëm, komuna e Mitrovicës. nga një familje me tradita atdhetare, kombëtare, fetare e arsimdashëse. Pasi mbaroi tetë-vjeçaren në fshat, shprehu interes për mësimet në gjuhën arabe, ku i përvetësoi te hoxha i fshatit.

Për shkak të situatës politike dhe ndalimit me ligj të mësimit fetar në atë kohë, pra në vitet ‘50, ai u detyrua të ndërpres mësimet, për t’i vazhduar pastaj në Mitrovicë, ku mësoi gramatikën, sintaksën arabe, komentimin e Kuranit, apologjetikën, Ilmi Kelamin, jurisprudencën islame, etj.

Në vitin 1966, u regjistrua në Medresenë e Mesme “Alaudin” në Prishtinë, ku mësimi asokohe zgjaste pesë vjet. Aty i kreu me sukses mësimet me korrespodencë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, në vitin 1969 emërohet imam dhe ligjërues në Xhaminë qendrore (Xhamia e Zallit) në Mitrovicë. Megjithatë, ai asnjëherë nuk e ndali interesimin për thellimin dhe zgjerimin e njohurive në shkollë. U regjistrua menjëherë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, dega histori-gjeografi, ku e kreu me sukses dhe mori titullin arsimtar i lëndëve histori e gjeografi. Nuk u ndal me kaq dhe menjëherë regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, katedra e orientalistikës, ku mësoheshin, përveç tjerash, edhe gjuhët arabe, turke dhe persishte. Në aftin optimal diplomoi dhe mori titullin profesor i këtyre lëmenjve.

Si personalitet i edukuar dhe i shkolluar, me tipare intelektuale e kombëtare më se 46 vjet punoi dhe shërbeu si imam e ligjërues në Xhaminë e Zallit në Mitrovicë. Gjatë kësaj kohe dha kontribut të çmuar në aspektin kombëtar, fetar, edukativ etj.

Asllan Murati, përveç profesionit të imamit, gjatë jetës së tij kreu edhe disa detyra me përgjegjësi në Bashkësinë Islame të Mitrovicës.

Zoti ia ndriçoftë varrin dhe e bëftë prej banorëve të Xhenetit. /Mesazhi/