Profeti që kërkoi post shtetëror dhe një reflektim për të sotmen tonë të zbehur politike.

Hoxhë Vladimir Kera

Sipas Kur’anit Famëlartë, Profeti Jusuf (a.s) i kërkoi faraonit të asaj kohe postin e administrimit të ekonomisë dhe furnizimeve të shtetit. Ai argumentoi se ishte i denjë për këtë detyrë duke theksuar dy cilësi thelbësore:

1. Ishte i besueshëm – një person i ndershëm, i pakorruptuar dhe i pakorruptueshëm.

2. Ishte i ditur – i aftë profesionalisht dhe ekspert në administrimin e burimeve ekonomike.

“Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm”.

(Kur’an: Jusuf: 55)

Nga ky tregim, nuk nxjerrim thjesht një konkluzion mbi lejueshmërinë e mbajtjes së posteve shtetërore nga besimtarët apo mbi kërkimin e tyre, por na hapet një dimension më i thellë i reflektimit.

1. Profeti Jusuf (a.s) nuk e kërkoi postin sepse ishte profet, besimtar apo përfaqësues i një komuniteti fetar. Ai e kërkoi atë për shkak të aftësive dhe integritetit të tij. Kjo tregon se kriteri kryesor për një post publik nuk duhet të jetë identiteti fetar, por kompetenca dhe ndershmëria.

2. Në tregimin e Kur’anit, nuk vihet theksi në besimin apo ideologjinë e faraonit, por në aftësinë e Jusufit (a.s) për ta përmbushur detyrën me sukses. Kjo tregon se përfaqësimi në qeverisje nuk duhet të bazohet në orientimin ideologjik, por në profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Nga kjo ngjarje, mund të nxjerrim një mësim të rëndësishëm për përfaqësimin politik sot:

1. Nuk duhet të kërkohet apo pranohet një post shtetëror me pretendimin e përfaqësimit të besimtarëve apo të një grupi fetar. Por për atë që ai është dhe mund të bëjë për të mirën e vendit.

2. Nuk duhet të kërkohet apo propozohet një kandidat për një detyrë publike vetëm mbi bazën e identitetit të tij, por mbi bazën e aftësisë dhe integritetit të tij.

Sepse në të dyja rastet është keqpërdorim i ndjenjave fetare dhe i fetarëve nga autoritetet politike.

Hoxhë Vladimir Kera