Profesor Salem Lepaja, ishte njëri ndër profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, i cili i ligjëroi kryeministrit të sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit.
Në një intervistë për Telegrafin, Lepaja ka folur për Albin Kurtin në kohën kur ai i kishte dhënë mësim, për sukseset gjatë studimeve të kryeministrit, për takimet dhe për temat e diskutimeve që kishte me të para e pas luftës së fundit në Kosovë.
Sjellja e qetë e Albin Kurtit dhe pozitiviteti i tij i kishte bërë përshtypje profesor Lepajës gjatë studimeve, përveç pamjes së veçantë të Kurtit.
Lepaja ka treguar detaje për atë periudhë, fillimisht si Kurti në provimin pranues kishte marrë pikë maksimale, por edhe për suksesin e shkëlqyer në provimet e lëndëve që ai kishte ligjëruar.
Albin Kurti u rendit si më i miri në provimin pranues në fakultet
Madje, ai kishte ruajtur fletoret e provimet e Kurtit si studenti më i mirë i asaj kohe, duke shpresuar se një ditë ai të bëhej shkencëtar i madh.
“Së pari gjatë ligjëratave koncentrohej shumë, nuk bënte pyetje por koncentrohej, e pastaj merrte shënime e pastaj gjatë pushimeve diskutonim me temën e ditës, ose e shihja me shokë duke qeshur, gjithmonë i buzëqeshur, duke diskutuar për sport e në veçanti duke diskutuar për basketboll”, tha ai për Telegrafin.
Takimi i parë i profesorit me Albin Kurtin pas lufte, ishte i veçantë për të. Ai e përshkruan këtë takim ku thotë se nuk e ka njohur Kurtin për shkak të ndryshimeve në pamje që i kishte bërë ai.
“Për herë të parë e kam taku këtu në korridor, ishte i ulur e u ngrit në këmbë, nuk e kam njohur sepse kishtendryshuar shumë, barte edhe syze, më parë nuk ka bartur syze. Ju afrova e ai më buzëqeshi dhe e pyeta: A je Albini?, e me tha: Po. Por unë kohë pas kohë kam komunikuar me të përmes letrave. Takimi ka ndodh dikur rreth janarit të vitit 2002”, tregon Lepaja.
Profesori, po ashtu ka një porosi për ish-studentin e tij, tashmë kryeministër, Albin Kurtin.
“Porosia ime për Albinin është që ta shfrytëzoj kapacitetin që e ka ashtu siç është duke e shfrytëzuar, por tash është në një pozitë me përgjegjësi të madhe, por në një pozitë më të volitshme ku mundet të punoj dhe të kontribuoj më shumë. Të implementoj, programin të cilin e ka prezantuar. Të jetë i kujdesshëm edhe për shëndetin e tij natyrisht, por të jetë i kujdesshëm edhe me bashkëpunëtor, të jetë vigjilent, ndërsa na të tjerët jemi në shërbim të realizimit të programit të tij”, thotë Lepaja. / Telegrafi/