Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të ndërmarrë masa ndaj profesorëve që nuk përmbushin detyrat e punës të parapara me kontratë.
Ndonëse zyrtarë të këtij Universiteti nuk kanë treguar se çfarë masash do të jenë ato, kanë theksuar se këtë vit i kanë shtuar edhe monitorimet nëpër fakultete, shkruan sot Koha Ditore.
Mungesa e dëshmive për orët e mbajtura nga disa profesorë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe pagesa e plotë edhe për orët sa nuk kanë qenë prezentë në orë është konstatuar edhe në raportin e Zyrës kombëtare të auditimit.
E për një fenomen të tillë thonë të jenë në dijeni edhe vetë zyrtarët e Universitetit të Prishtinës, gjë të cilën e kanë vërejtur përmes auditimeve të brendshme që u kanë bërë fakulteteve.
Ndërkaq organizatat që merren me monitorimin e punës në universitetin publik kërkojnë që të krijohet një mekanizëm që kontrollon punën e mbarëvajtjes së ligjëratave.