Shitja e produkteve me afat të skaduar apo edhe me cilësi të dyshimtë, vazhdon të jetë pjesë e tregtisë në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve kishte pranuar rreth 100 ankesa për shitje të produkteve me afat të skaduar apo cilësi të dyshimtë.
E, gjatë këtij viti, vetëm në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, janë ankuar rreth 40 persona për cilësinë e produkteve.
Nga janari e deri në fund të vitit të kaluar, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kishte pranuar 1 mijë e 15 ankesa nga qytetarët. Në mesin e tyre ishin 56 ankesa për shitje të produkteve me afat të skaduar, 38 për shitje të produkteve të dyshimta, e 17 për produkte jo cilësore.
Për ankesa për cilësinë e produkteve ushqimore qytetarët mund të drejtohen edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi, në një prononcim për Radio Kosovën ka treguar për numrin e ankesave të qytetarëve për këtë vit.
“Gjatë këtij fillimviti ne kemi pranuar një numër të ankesave nga konsumatorët, për dyshimet e tyre rreth sigurisë së produkteve ushqimore. Në sektorin e Inspektoratit Sanitar kemi pranuar 20 ankesa, ndërsa në sektorin veterinar 16 ankesa”, tha Thaçi.
Ankesat e konsumatorëve ndërlidhen kryesisht me afatin e qëndrueshmërisë, cilësisë apo edhe kushtet e ruajtjes së produkteve ushqimore, tha Thaçi. Ai foli edhe për trajtimin e këtyre ankesave.
“ Nga Inspektorati Veterinar janë iniciuar 15 raste në gjykatat kompetente, ndërsa nga inspektorët sanitarë janë iniciuar tre raste. Ne i kemi kompletuar lëndët me të gjitha dëshmitë dhe për masat ndëshkimore, pastaj, sipas ligjeve në fuqi vendosë gjykata”, tha ai.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, fton qytetarët që vërejnë parregullsi, bashkë me dëshmi, të raportojnë rastet në AUVK, në mënyrë që të mbrohen ata nga produktet jo cilësore.