Producentët turq filmojnë historinë e “jetimit të luftës së Kosovës”

Në Kosovë kanë nisur xhirimet e filmit “Shpata prej druri”, i cili fokusohet në historinë e “jetimit Hajdar”, babai i të cilit është zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për herë të parë producentët turq xhirojnë një film me gjuhë origjinale shqipen dhe me artistë nga Kosova, po në këtë vend. Xhirimet e filmit po vazhdojnë në Mitrovicë, ndërkaq do të realizohen xhirime edhe në Prishtinë dhe Prizren. Filmi do të jetë bardh e zi, ndërsa regjisor i tij është Emre Konuk, regjisor i njohur turk i cili me filmin “Çirak” ka fituar çmime të shumta në festivalet ndërkombëtare dhe në ato në Turqi.

Uğur Veli, i cili së bashku me Raif Inan janë bashkëproducentë të filmit, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) thotë se xhirimi i një filmi në një shtet tjetër, përveç vështirësive ka edhe avantazhe. Ai thekson se xhirimi i filmit nga një kompani turke në Kosovë është pritur pozitivisht dhe me ngrohtësi, si nga autoritetet ashtu edhe nga populli kosovar dhe shton se programi i setit, përfshirë edhe procesi i parapërgatitjeve ka ecur mjaft shpejtë.

Veli tregon se ideja e filmit ka dalur nga koncepti “i të qenit jetim”, duke shtuar se ashtu si në Turqi edhe në Kosovë gjithkush në familje ka një histori “të jetimit”. Sipas tij, dhimbjet e Kosovës për këtë çështje ende janë shumë të freskëta.

“Kur unë isha në shkollën e mesme, në Sarajevë kishte luftë. Edhe pse nga larg, e përjetuam dhe e ndienim atë. Kur isha në studimet universitare, në vitin 1998, filloi lufta në Kosovë dhe në atë periudhë kisha miq të cilët përpiqeshin për ndihma humanitare në këtë vend. Unë nuk kisha ardhur, por në një mënyrë e ndiqja historinë. Kosova është një shembull shumë i mirë për të treguar traumat dhe dhimbjet që përjetohen nga jetimët pas luftës”, thotë Veli.

Siç thekson ai, historia e filmit është përmbledhja e historive të shumta të përjetuara dhe të atyre që mund të përjetohen. Ai shton se kanë vendosur për xhirimin e një filmi të tillë, pasi që është prekur nga mbikqyrja e fëmijëve jetimë nga një kosovar, Haxhi Kemal, i cili është pronar i objektit të “Kullës së Jetimit” që ndodhet në Prizren.

Në film, shpjegon ai, nuk trajtohet historia e tij, por Haxhi Kemali ishte një dritë për filmimin e një historie të tillë. Sipas tij, ata në të vërtetë po e tregojnë historinë e Kosovës të mbetur në gjysmë.

– Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë

“Kur shkoni në një vend dhe i xhironi ata persona në mjediset dhe kushtet e tyre të jetesës, atëherë ky bëhet një dokumentar. Nëse atë e xhironi në një mjedis, kohë, plato, kostume e dekore tjera, atëherë kjo bëhet doku-dramë. Me qëllim të reflektimit maksimal të vërtetësisë së kësaj historie, ne menduam që nuk do të ishte e përshtatshme xhirimi i një historie të Kosovës në një plato. Menduam që më e drejta do të ishte që të xhirojmë në këtë gjeografi, në këto objekte, në gjuhën e këtyre njerëzve dhe me aktrimin e këtyre njerëzve”, tha ai.

Skenari i filmit “Shpata prej druri”, i cili po xhirohet me mbështetjen e Fondit të Promovimit të Republikës së Turqisë, me bashkëproducimin e TRT-së (Radio-Televizioni i Turqisë) është shkruar nga Selman Kılıçaslan.

Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë, ku aktori kryesor me rolin e Hajdarit është Florist Bajgora. Përveç tij, në kastingun e filmit ndodhen aktorët e njohur si Fiona Gllavica, Mensur Safqiu, Bislim Muqaj, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Ernest Malazogu dhe Artiole Hamdiju.

“Babai i Hajdarit i cili ka lindur në fshatin Krushë të Vogël të Kosovës, Hyseini si personi i vetëm që ka shpëtuar nga një masakër e madhe e serbve në këtë fshat në luftën e vitit 1999, është zhdukur. Pas disa vitesh me vdekjen e nënës së tij, Hajdari mbetet i vetëm dhe kujdesjen e tij e marrin xhaxhai Nexhati dhe gruaja e tij Fatimja. Hajdar i cili braktis edhe studimet universitare në drejtimin e historisë për shkak të kushteve ekonomike, kishte filluar të ndiqte një shenjë me dëshirën për të gjetur babanë e tij. Gjëja e vetme që kishte mbetur si kujtim nga babai i tij për 22 vjeçarin Hajdar, ishte një shpatë prej druri. Në kërkim të babait të tij të zhdukur, Hajdar në njërën anë bëhet dëshmitar i një qëndrimi prej dervishi të babait të tij, ndërsa në anën tjetër ndjek përgjegjësit serbë të masakrës së kryer në fshatin e tij”, është tema e filmit që po përgatitet nga kompania A23 Media.