Katër muaj që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, kapacitetet prodhuese vendore kanë shënuar rritje dhe rrjedhimisht ka pasur ndikim edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, thonë përfaqësues të kompanive prodhuese dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Për dallim nga disa biznese tregtare por edhe ato që lëndën e parë e kanë siguruar në Serbi, prodhuesit që nuk varen nga tregu serb, besojnë se kanë përfituar nga taksa.Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore, fillimisht 10 për qind e më pas 100 për qind, është në fuqi që nga muaji nëntor i vitit të kaluar.
Arben Tershnjaku, menaxher i kompanisë “Liri” në Prizren e cila merret me prodhimin e produkteve ushqimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga vendosja e kësaj takse kjo kompani ka pasur rritje të prodhimit deri në 7 për qind.“Pas vendosjes së taksës kemi pasur një shtim të mirë të shitjes, është rritur kërkesa për prodhim, kemi pasur edhe punësime të reja. Që nga vendosja e taksës kemi punësuar 40 punëtorë dhe ky trend i rritjes së kapaciteteve prodhuesve dhe shtimi i linjave te reja prodhuese po vazhdon”, thotë Tershnjaku.
Tërshnjaku thekson se taksa nuk ka zbrazur tregun e Kosovës me produkte të Serbisë dhe Bosnjës, pasi që produkte nga këto vende po vazhdojnë të jenë treg, por që sipas tij, qytetarët në një formë janë vetëdijesuar që të konsumojnë produkte vendore në mënyrë që të forcojnë ekonominë e shtetit.Përfaqësues të bizneseve patën theksuar se në tregun e Kosovë po hynë mallra nga Serbia në formë alternative apo përmes kontrabandës, ndonëse një gjë të tillë e patën mohuar zyrtarë të Doganave të Kosovës.Rritje të prodhimit dhe punësimit ka pasur edhe në industrinë e mishit “Meka”.
Burim Piraj, pronar i kësaj kompanie në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë shënuar rritje të kapaciteteve prodhuese.“Sa i përket taksës kemi pasur ndikim vetëm në një produkt derisa në produktet tjera nuk kemi pasur ndikim të drejtpërdrejt pasi që nuk janë produktet tjera që ne i prodhojmë nuk janë importuar nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovinapor kemi pasur shtim të prodhimit dhe se kjo rritje e prodhimit ka qenë për arsye të ngritjes së patriotizmit ekonomik dhe kemi qene të detyruar që të punësojmë edhe punëtor të ri. Trendi i rritjes së produkteve po vazhdon”, thotë Piraj.Në anën tjetër, Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimeve që kryeministri i Kosovës ka pasur me shoqatat ekonomike në vend është theksuar se taksa ka pasur efekt pozitiv tek prodhuesit.
“Vendosja e taksës ka ndikuar pozitivisht në rritjen e prodhimit vendor. Shumë kompani që prodhojnë produkte të cilat në një masë të madhe para taksës janë importuar nga Serbia tani ato kompani e kanë zgjeruar gamën e prodhimit dhe kanë rritur numrin e të punësuarve dhe është shtuar shitja, thotë Shatri.Kompani prodhuese të kontaktuara nga Radio Evropa e Lirë thonë se përveç taksës 100 për qind ndikim ka pasur udhëzim administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë cili obligon të gjitha subjektet afariste në Kosovë vendosjen e flamujve nëpër dyqane, për të treguar vendin e origjinës së produkteve që i kanë në shitje.Arben Tershnjaku, menaxher i kompanisë “Liri” në Prizren thotë se nëse do të vendosje heqja e taksës konsumatorët do të vazhdojnë të konsumojnë produktet vendore.
“Menjëherë pas vendosjes se taksës, hyri në fuqi edhe vendosja e flamujve. Para vendosjes së flamujve shumicës së konsumatorëve nuk ju ka interesuar shumë prejardhja e produkteve, por pas vendosjes së flamujve konsumatorët i shkojnë me kujdes dhe pastaj zgjedhin produktin, kjo ka pasur efekt shumë të madh. Mendoj qe tani edhe nëse ndodh heqja e taksës ne besojmë që konsumatorët e Kosovës do të vazhdojnë të blejnë produktet të Kosovës dhe do të bojkotojnë produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës”, thotë Tërshnjaku.
Ndërsa prodhuesit vendor thonë se kanë përfituar nga vendosja e taksës, në planin politik ajo kishte efekte sidomos në raport me dialogun me Serbinë, për çka Prishtina zyrtare është qortuar nga SHBA dhe BE-ja.Vendosja e taksës 100 për qind, në anën tjetër ka bllokuar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.