Ballina Autorë Opinione Proces gjyqësor kundër më të shenjtës që kemi – gjuhës shqipe!

Proces gjyqësor kundër më të shenjtës që kemi – gjuhës shqipe!

KIm Mehmeti

Nga Kim Mehmeti

Të jesh 30 për qind i numrit të përgjithshëm të banorëve të shtetit, të kesh pas shpine dy ‘mëmëdhe’ – Shqipërinë e Kosovën – e për gjuhën tënde të vendosin gjykatat dhe ligjet, kjo shpjegon dhe shpërfaq edhe mjerimin politikë të një populli.

Ndërkohë, a ju kujtohet sa herë deri më tani kryesuesit e BDI-së lëvdoheshin se e kishin zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe sa herë deri më tani Tirana e Prishtina zyrtare atyre ua uronin arritjen epokale?!
Pastaj a ju kujtohet sa herë ne thoshim se gjuha shqipe nuk zyrtarizohet çdo katër vite gjatë fushatave parazgjedhore, e as me ligje e përqindje, por vetëm nëse si e tillë shpallet në kushtetutën e vendit dhe vetëm nëse trajtohet si gjuhë e popullit autokton pa të cilin nuk mund të ekzistojë Maqedonia.

Pa marrë parasysh nëse e kujtoni të shkuarën tonë të turpshme, politike apo nëse atë e keni harruar, mbetet e vërteta se ne kurrë nuk e kuptuam se në këtë Ballkan dukemi më pakë seç jemi ngaqë jetojmë të ndarë në pesë shtete dhe se, disa nga këto shtete i frikohen gjuhës sonë ngaqë ajo është ‘atdheu’ i vetme që i bashkon të gjithë shqiptarët.

Më në fund edhe sot si dikur, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë e të Kosovës, nga Tirana e Prishtina zyrtare shpeshherë trajtohen si ‘mbeturina’ të parëndësishme të shqiptarisë.

Dhe duke i trajtuar si të tillë, ndodhë që kryeministri i Kosovës ta përkrahë qeverinë më proserbe që kurdo qoftë ka pasur Maqedonia – atë të VMRO-DPMNE’së me VLENIn e pavlerë shqiptarë në të, e Tirana zyrtare t’i qëndrojë mbrapa Frontit Europian, i cili front e bëri Maqedoninë pjesë të botës serbe – të ‘Ballkanit të Hapur’, por duke i lënë shqiptarët e këtushëm në një pozitë thuajse qesharake: që edhe duke qenë 30 për qindëshi i numrit të përgjithshëm të banorëve të vendit, edhe duke pasur pas shpine dy mëmëdhe – Shqipërinë dhe Kosovën, të mos dinë si ta shpëtojnë nga proceset e montuara antishqiptare gjyqësore më të shenjtën që kanë – gjuhën e tyre amtare?! /shenja

Exit mobile version