Nga të gjitha mënyrat që ofron historia si shembuj sesi një qeveri duhet të përballet me një lëvizje separatiste, Spanja duket se ka zgjedhur “metodën serbe”.
Kështu nis një analizë e “Foreign Affairs”, që interpreton aksionet e qeverisë së Madridit për të parandaluar shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës.
“Tani kërcënon me shfuqizimin e qeverisë rajonale të Katalonjës, ashtu siç bëri Serbia me Kosovën në vitin 1990 dhe që prej 1 tetorit, kur u zhvillua referendumi, ruan një prani të madhe policore të dërguar në Katalonjë nga rajonet e tjera të Spanjës, pavarësisht se kërkoi ndjesë për episodet e dhunës”, shkruan Foreign Affairs.
Një tjetër ngjashmëri mes sjelljes së Millosheviçit në vitin 1990 dhe qeverisë spanjolle, artikulli që për autor ka Joseph Huddleston gjen edhe lëvizjen e ushtrisë.
“Që prej të enjtes së kaluar, në Katalonjë janë vendosur trupa të shumta ushtarake, gjithashtu duke kopjuar reagimin e qeverisë serbe pas deklarimit të Pavarësisë nga Kosova. Për katalanasit, kjo ngjason më shumë si një forcë pushtuese sesa prani e domosdoshme e forcave të sigurisë për të ruajtur paqen në rajon”, vëren autori.
Foreign Affairs e quan të tepruar reagimin e qeverisë spanjolle, që nëse përshkallëzohet mund të sjellë pasoja të tjera, përfshirë këtu edhe luftën.
“Kjo ka stepur edhe vetë aleatët katalanas të Madridit, që sot nuk e kundërshtojnë më me aq forcë pavarësinë sa bënin para se në rajon të dërgoheshin forca të shumta policore dhe ushtria”, vijohet më tej.
Sipas Foreign Affairs, reagimi i tepruar i Madridit nuk argumentohej as nga mbajtja e referendumit, që nuk kishte garanci ligjore.
“Vetëm 42 përqind morën pjesë në votim dhe nëse Madridi do të përmbahej në deklaratat dhe veprimet e tij, me gjasë pjesa më e madhe e vetë katalanasve do ta kishin injoruar këtë referendum dhe vetë rezultatin e dalë prej tij”, shkruan revista prestigjioze amerikane.