Qyteti i Prizrenit i cili ndodhet në jugperëndim të Kosovës ka një sipërfaqe prej 640 kilometra katrorë i cili është i njohur që nga antikiteti si një vend unik në Ballkan për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme, shkruan Anadolu Agency (AA).
Prizreni i cili quhet edhe “qyteti muze” apo “muzeu nën qiellin e hapur”, radhitet si një ndër qytetet më të bukura të Kosovës.
Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo-historike. Ndër objektet më të rëndisishme në këtë vend janë xhamitë, urat, hamami, krojet, shumica e të cilëve janë trashëguar nga periudha e Shtetit Osman.
Xhamia e Sinan Pashës e cila ndodhet nën Kalanë e Prizrenit dhe qendrën e Shatërvanit, është njëra nga xhamitë më të njohura nga më shumë se 30 në këtë qytet. Ajo është ndërtuar gjatë periudhës osmane, përkatësisht në vitin 1615 nga ana e Sofi Sinan Pashës, i cili ishte një person i shquar dhe me pozitë të rëndësishme në administratën Osmane.
Me pozitën e saj në qendër të qytetit, formën, materialet dhe teknikën e ndërtimit, dekorimet e pasura në enterier, Xhamia e Sinan Pashës paraqet njërin prej monumenteve më karakteristike të Prizrenit. Ka planimetri katrore me një nishë në pjesën jug-lindore që e bën xhaminë më specifike në krahasim me xhamitë tjera në Kosovë.
Jo shumë larg xhamisë së Emin Pashës ndodhet edhe xhamia Gazi Mehmed Pashës, e cila nga popullata njihet edhe si Xhamia e Flamurit. Kjo xhami ndodhet në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe është ndërtuar nga Gazi Mehmet Pasha më 1573. Kjo është një nga xhamitë më të bukura të qytetit me një oborr të gjeerë të shtruar me kalldërm, ku në anën perëndimore gjenden nëntë krojet që shërbejnë për abdes.
– “Kush pi ujë nga Kroi i Shatërvanit vjen përsëri në Prizren”
Kroi i Shatërvanit mendohet se është ndërtuar në shek. XVII (pas ndërtimit të xhamisë së Sinan Pashës). Baza e kroit është në formë katrore me gur të latuar nga mermeri me ngjyrë të përhimtë, pjesa e sipërme ka formën e tetëkëndëshit. Pipëzat e ujit gjenden në katër anët e kroit. Mbi kroin, i cili i takon periudhës osmane, sipas dokumentacioneve në fund të shek. XIX ndodhej vrojtorja e xhandarmërisë turke.
Kroi i Shatërvanit me pozitën e saj në mes të Sheshit Shatërvan, formën dhe dekorimet paraqet njërin prej simboleve të qytetit dhe njëherësh edhe kroin më karakteristik të ruajtur deri në ditët e sotme. Sipas legjendës, kush pi ujë në këtë krua “vjen përsëri në Prizren”, ose “martohet në Prizren”.
– “Ura e Gurit lidh dy pjesët e qytetit të Prizrenit”
Sapo të kalosh nga kroi i Shatërvanit, arrin në Urën e Gurit, e cila supozohet se është ndërtuar kah fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Edhe pse gjatë historisë në Prizren janë ngritur ura të shumta, pa dyshim se më e veçanta e cila është shndërruar në simbol të qytetit është Ura e Gurit, e cila pothuajse lidh dy pjesët e qytetit, të ndarë nga lumi Lumbardh.
Vërshimi i lumit në vitin 1979 ka shkaktuar rrënimin e tërësishme të kësaj ure, e cila është ndërtuar përsëri me mobilizimin e prizrenasve dhe është inaguruar në vitin 1982. Ura e re u rindërtua duke e respektuar strukturën e vjetër të saj. Gjatësia e urës së tanishme është 17 metra dhe përbëhet nga një hark të madh dhe dy harqe anësore. Ura është e shtruar me kalldërm dhe shërben vetëm për këmbësorë. Në anën lindore të saj gjendet Ura e Arastës, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e Naletit (ose siç njihet tani si Ura e Dashurisë). Përballë urës po ashtu ndodhet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren.
– “Hamami tani galeri e aktivitetetve kulturo-artistike”
Hamami i Gazi Mehmet Pashës ndodhet në qendër të qytetit dhe në afërsi të xhamisë së Emin Pashës. Ajo është ndërtuar në vitin 1563-74 nga Mehmet Pasha. Hamami është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë. Hamami është ndërtuar nga gur të ndryshëm në kombinim me tulla. Ndërkaq për shkak të restaurimeve gjatë viteve shihen disa ndryshime në pamjen e saj. Prej vitit 2000 Hamami shfrytëzohet si galeri për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike dhe edukative.
– “Minarja Arasta mbijeton pa xhami”
Një tjetër trashëgimi interesante nga periudha osmane në Prizren është minarja e Arasta Xamisë. E veçanta e saj është që minarja vazhdon të mbijetojë pa praninë e xhamisë Arasta e cila është ndërtuar mes viteve 1526-1538. Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor deri në vitin 1960, kur qeveria e atëhershme jugosllave nën emrin e “modernizmit të qytetit” rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku edhe xhamia së bashku me lagjen Arasta janë rënuar dhe janë ndërtuar banesa shumëkatëshe dhe objekti i bankës në atë vend, duke u zhdukur kështu në mënyrë totale pamja burimore e kësaj pjese të qytetit.
Ndërkaq nga xhamia e Arastës mbetet pa u rrënuar vetëm Minarja, e cila është e ndërtuar nga gurë shtufe të lidhur me llaç gëlqeror. Karakteristike për këtë minare është Ylli i Davidit i gdhendur në gur në trungun e saj.
– “Teqja e Halvetive, monument karakteristik i Zonës Historike të Prizrenit”
Në një distancë mjaft të vogël prej të gjitha monumenteve tjera, në lagjen e vjetër të Saraçhanes, në Zonën Historike të Prizrenit ndodhet edhe një monument karakteristik, Teqja e Halvetive e cila është ndërtuar po ashtu në periudhën osmane, gjatë shekullit 17. Teqja është ndërtesë sakrale islame dhe i përket tarikatit Halveti (rrjedh nga fjala arabe “halwet-vetmia”).
Kompleksin e teqesë e përbëjnë teqja (me disa dhoma të veçanta), semahanja ose salla e lutjes, tyrbja ku janë varrosur udhëheqësit e teqes (Shehlerët) dhe oborri i shtruar me kalldërm, me elementin e ujit që rrjedh nëpër dy kroje nga mermeri.
Semahanja paraqet një ndërtesë karakteristike, enterieri i së cilës është i dekoruar me pllaka qeramike me motive florale dhe arabeska. Krahas enterierit të pasur, në Semahane gjenden edhe elementet origjinale të teqesë, sikurse veglat e punës dhe veglat muzikore. Në këtë semahane çdo të enjte bëhet dhikri, pas namazit të jacisë.