Për dallim nga dje kur u regjistruan pritje tetorëshe në Merdar, sot më së shumti vonesa ka gjatë hyrjes në Kosovë nga “Dheu i Bardhë”.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, mëngjesin e sotëm përveç te pika e “Dheut të Bardhë” nuk ka pritje të gjata për hyrje në Kosovë.
Në këtë pikë aktualisht pritjet për të hyrë në Kosovë zgjasin 90 minuta, ndërsa kolona e makinave ka gjatësinë 350-450 metra.
Dje për hyrje në Kosovë u shënuan pritje të gjata prej tetë orësh, sidomos në Merdar, por nuk hyhej pa pritur gjatë as nga “Dheu i Bardhë” dhe “Mutivoda”.
Dje për shkak të pritjeve të gjata në hyrje të Kosovës nga Serbia, reagoi në Facebook ministri i Diasporës Valon Murati, duke shpjeguar se pala serbe po punon me kapacitete të zvogëluara, ndërsa pritjet i lidhi me raportet jo të mira Kosovë-Serbi.
Murati shkroi se pala kosovare është ankuar edhe në Bruksel për shkak të këtyre pritjeve të gjata në kufi, ndërsa tregoi se pas kësaj kufitarët serbë kanë filluar t’i kryejnë më shpejt procedurat kufitare.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit mes Kosovës e Serbisë u nënshkrua në Bruksel në vitin 2011.
Marrëveshja parashikon veprimin nën një kulm të doganës e policisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë, ndërsa të dy palët nuk do të përdorin simbole shtetërore.
Pritjet në kufirin Kosovë-Serbi rikthehen periodikisht në periudhat e festave të fundvitit dhe gjatë verës kur mërgimtarët kosovarë kthehen në atdhe.
Në të dy rastet gjatë pritjes ata përballen me temperatura ekstreme-shumë të ftohta gjatë dimrit dhe shumë të larta gjatë verës.