Prishtinë, hapet “Panairi i 19-të i librit”

Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) organizon Panairin e19-të tradicional të librit në datat 06-11 qershor 2017 në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora dhe pritet ta vizitojnë mijëra vizitorë, studentë, nxënës, qytetarë dhe personalitete nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

SHBK-ja po ashtu ka paraparë edhe shpërblime ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar dhe projektin kapital. SHBK-ja do të shpall edhe shkrimtarin e vitit (letërsi shqipe), shkrimtarin e vitit në letërsi të huaj dhe stendën më të vizituar të panairit.

Daut Demaku, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, në një fjali theksoi se ky panair po organizohet falë angazhimit të të gjithë personave të cilët merren me librin, si botuesit, shkrimtarët, redaktorët, etj.

“Në këtë panair marrin pjesë të gjithë botuesit shqiptar dhe ofrojnë një gamë të madhe të botimeve ku ndodhen mesatarisht 1000 tituj të ri të cilat për çdo vit paraqiten para lexuesve”, tha Demaku.

Demaku duke bërë të ditur se gjatë panairit do të organizohen 50 aktivitete të ndryshme si promovime dhe debate, tha se kërkesa për aktivitete të tilla ka qenë shumë e madhe.

Ndërsa, shkrimtari dhe diplomati nga Shqipëria, Besnik Mustafaj në fjalën e tij theksoi se nevojitet një përkushtim më i madh për librin nga vendimmarrësit e Shqipërisë dhe Kosovës. Ai shprehu shpresën se me zgjedhjet e reja në këto shtete do të mund të ndërtohet një politikë e re për librin.