Në palestrën “1 Tetori” të kryeqytetit, të enjten edhe zyrtarisht ka nisur njëra prej dy ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare të pingpongut nën organizimin e Federatës së Pingpongut të Kosovës dhe e mbështetur nga kompania e telekomunikacionit, Telkos.
Fillimisht, po mbahet ngjarja “WTT Youth Contender” që do të zgjasë deri të dielën në mbrëmje kurse prej datës 30 tetor deri më 1 nëntor, do të mbahet ngjarja tjetër e këtij sporti – “WTT Feeder”.
Ky vlerësohet si një moment i veçantë për sportin në Kosovë pasi për herë të parë po organizohen ngjarje me përmasa të tilla dhe atë në bashkëpunimin me Federatën Botërore të Pingpongut.
Në ditën e parë të turneut të parë, dukej një konkurrencë e fortë kurse në mbrëmje të secilës ditë të turneut, do të shpallet edhe më i miri.
Në fakt, në këto ngjarje do të paraqiten disa prej lojtarëve më të mirë në botë të këtij sporti dhe për këtë krenohen në Federatën e Pingpongut të Kosovës.
Kreu i saj, Nehat Çitaku thotë se kanë punuar shumë për të siguruar organizimin e këtyre ngjarjeve, të cilat shpreson se do të ndihmojnë në inkurajimin e të rinjve që të angazhohen në këtë sport.
I kënaqur me organizimin, pjesëmarrjen dhe interesimin për këto evente, edhe shprehur edhe trajneri Ardian Lamaxhema.
Përmasat e mëdha të këtyre ngjarjeve që po mbahen në kryeqytet, i dëshmon edhe pjesëmarrja e 268 pjesëmarrësve nga 39 shtete, ku 9 prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Për dallim prej turneut të parë që përfundon të dielën, turneu i dytë që mbyllet më 1 nëntor, ka një fond shpërblimesh prej 22.500 dollarësh.
Turnetë ndërkombëtar të pingpongut në vendin tonë, mbështetën fuqishëm nga kompania e telekomunikacionit, Telkos.