Prishtina, Feronikeli e Trepça 89 e mbyllin javën me fitore, vazhdon lufta për titullin

Me fitoret e Prishtinës, Feronikelit dhe Trepçës 89 ka përfunduar edhe xhiroja e 19-të në Superligën e Kosovës.

Prishtina ka shënuar fitore bindëse para publikut të saj në ‘Fadil Vokrri’, duke e mposhtur skuadrën e Lirisë me rezultatin 4:0, shkruan lajmi.net.

‘Bardh e kaltrit’ kaluan në epërsi qysh në minutën e parë me anë të anësorit Mankenda.

Në pjesën e dytë shënuan edhe Armend Thaçi në minutën e 50’, Meriton Korenica në minutën e 58’ dhe Arbër Hoxha në minutën e 93′ për t’i dhënë tri pikë skuadrës së tyre.

Fitore ka shënuar edhe Feronikeli, të cilët kanë fituar kryendeshjen e kësaj xhiroje, kundër skuadrës së Llapit, me rezultatin 2:0.

Golat në këtë takim  realizuan nga Mendurim Hoti, i cili e tundi rrjetën e llapjanëve në minutën e 29’ të takimit dhe Astrit Fazliu në minutën e 92′.

Fitore minimale shënoi edhe Trepça 89, e cila mposhti Dritën, fal golit të shënuar nga Hyshmerit, në minutën e 13 të takimit.