Prishet koalicioni qeveritar në Gjermani, zgjedhjet e parakohshme priten deri në fund të marsit 2025

Kancelari Olaf Scholz

Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të Gjermanisë u prish të mërkurën pasi kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin liberal të Financave, Christian Lindner, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikën ekonomike, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin, kancelari Scholz kritikoi ashpër Lindnerin për bllokimin e përpjekjeve të tij për të arritur një kompromis mbi buxhetin dhe politikën ekonomike të qeverisë.

“Ai shpesh përdorte taktika politike, ka thyer besimin tim, madje duke anuluar në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për buxhetin pasi ne kishim rënë dakord për të tashmë pas negociatave të gjata”, tha ai.

“Kushdo që i bashkohet një qeverie duhet të veprojë seriozisht dhe me përgjegjësi. Ata nuk duhet të fshihen kur gjërat vështirësohen. Ata duhet të jenë të përgatitur për kompromis në interes të të gjithë qytetarëve”, shtoi Scholz.

“Por kjo nuk është ajo për të cilën Christian Lindner shqetësohet tani. Ai është i shqetësuar për klientelën e tij. Ai është i shqetësuar për mbijetesën afatshkurtër të partisë së tij,” tha më tej kancelari gjerman.

Më herët të mërkurën, Scholz zhvilloi bisedime për krizën me krerët e Socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë për t’i afruar dallimet e tyre mbi buxhetin, politikën ekonomike dhe investimet.

Kancelari socialdemokrat tha se pas rënies së koalicionit, ai tani do të konsultohet me opozitën kryesore Demokristianët (CDU/CSU) dhe do të bëjë thirrje për një votëbesim për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

“Që në javën e parë të seancës parlamentare në vitin e ri, do të paraqes votën e besimit në mënyrë që Bundestagu të votojë më 15 janar, në mënyrë që anëtarët e Bundestagut të vendosin nëse do të hapin rrugën për zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje mund të mbahen më së voni deri në fund të muajit mars, sipas afateve të përcaktuara në Ligjin Bazë”, tha ai.