Për momentin nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa e suksesshme është kjo metodë, sepse mostrat nga pacientët janë mbajtur krejtësisht anonime.
Shkencëtarët thonë se kanë mundësinë të ndërhyjnë më mirë ndaj një kanceri agresiv të trurit nëpërmjet krijimit të një modeli 3D të tumorit, të ndërtuar nga vetë qelizat e pacientit. Në një studim publikuar së fundmi thuhet se shkencëtarët kanë kështu mundësinë të testojnë efikasitetin e ilaçeve tek tumori i printuar biologjikisht për të patur rezultate më të sakta.
Në një laborator, shkencëtarët po rikrijojnë qelizat e marra nga një pacient me glioblastoma, një formë kanceri shumë agresiv që shfaqet në tru apo në shtyllën kurrizore.
Një bio-printer shfrytëzon imazheritë MRI dhe CT për të prodhuar një kopje besnike të tumorit, së bashku qelizat e tjera nga truri i pacientit. Tumori i printuar mund të mbahet i gjallë për rreth dy muaj, periudhë gjatë së cilës studiuesit munden të testojnë lloje të ndryshme ilaçesh.
“Është një sistem i tërë që përmban të gjitha qelizat e ndryshme të trurit dhe qelizat me glioblastoma… me të gjithë rrjedhën e gjakut nga pacienti, të printuar 100 herë dhe që përdoret për të testuar terapitë e ndryshme. Mendoj se kjo është hera e parë që kemi një sistem të plotë”, thotë Ronit Satchi-Fainaro, drejtuese e studimit në Shkollën e Mjekësisë Sackler.
Studiuesit thonë se puna kërkimore me një tumor të plotë është shumë më efikase se studimi që u bëhej deri më tani disa qelizave në provëza laboratorike.
Ekipi ka testuar kura për 10 tipe të ndryshme kancerësh, por e kanë fokusuar studimin tek kanceri i glioblastomas.
“Zbulimi i madh ishte se patëm rezultate të ngjashme në qelizat e izoluara 3D dhe tek pacientët. Ndërkohë që nuk pati asnjë efekt kur qelizat u testuan në mënyrën tradicionale në provëzat laboratorike. Kjo dëshmon efikasitetin e platformës sonë për të parashikuar skenarin klinik”, thotë inxhinierja kimike, Lena Neunfield.
Modelet 3D mund të printohen brenda disa orësh. Në kompjuter, studiuesit vëzhgojnë se si ilaçet sulmojnë një proteinë të caktuar. Bllokimi i kësaj proteine ngadalëson rritjen e tumorit.
Studenti pasuniversitar Eilam Yeini shpjegon pamjet në monitor.
“Shohim këtu enët e gjakut dhe në ngjyrë jeshile janë qelizat kancerogjene që i rrethojnë. Brenda enëve të gjakut mund të shohim qelizat me ngjyrë të kuqe që i formojnë ato, së bashku me qelizat e mjedisit përreth, si qelizat imunitare të trurit”, thotë ai.
Për momentin nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa e suksesshme është kjo metodë, sepse mostrat nga pacientët janë mbajtur krejtësisht anonime.
Kjo do të thotë që ekipi këtu në laborator nuk e ka idenë se cilat ilaçe u janë dhënë pacientëve, mostrat e të cilëve po përdorin.
Më e rëndësishmja, ata nuk mund të krahasojnë rezultatin përfundimtar të trajtimit të pacientit me rezultatet e tyre në laborator.
Ekipi po fillon tashmë edhe një provë të hapur, gjatë së cilës do të dinë identitetin e pacientit dhe do të jenë në gjendje të krahasojnë rezultatet në laborator drejtpërdrejt me rezultatin e pacientit.
Pastaj do të jenë në gjendje të shohin nëse po parashikojnë me saktësi se si kanceri do të reagojë ndaj një ilaçi brenda trupit të pacientit. /VOA