Prindërit e fëmijëve me shtetësi evropiane mund të marrin leje qëndrimi në BE
Çështja ishte hapur nga një grua venezuelase me mbiemrin Çavez-Vilçez (Chavez-Vilchez), e cila nuk kishte marrë dot leje qëndrimi pas zgjidhjes së martesës në vitin 2011, pavarësisht se djali i saj kishte nënshtetësi holandeze.
Pas divorcit ajo kishte aplikuar për mbështetje sociale dhe ndihmë për fëmijën e saj duke deklaruar se ish-bashkëshorti nuk e kishte ndihmuar aspak dhe përgjegjësinë për rritjen dhe edukimin e fëmijës e kishte vetëm ajo.
Kurse Holanda ia kishte refuzuar kërkesën nënës venezuelase me arsyetimin se ajo nuk kishte një leje qëndrimi të vlefshme në BE.
Por megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë me vendimin që mori i dha të drejtë gruas.
Gjykata deklaroi se një kërcënim i çfarëdoshëm në lidhje me të drejtën e qëndrimit të nënës në Bashkimin Evropian do ta privonte fëmijën nga të drejtat që i njeh atij legjislacioni evropian.
Vendimi në fjalë vlen për rastet kur prindi është i detyruar të braktisë BE-në dhe bashkë me prindin duhet të largohet nga BE-ja edhe fëmija me shtetësi evropiane. Këtu ndikojnë edhe faktorët si mosha e fëmijës dhe zhvillimi i tij si dhe lidhja shpirtërore e emocionale e fëmijës me secilin prind.
Vendimi mund të prekë edhe qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar që jetojnë në vendet e BE-së dhe qytetarët e BE-së që jetojnë në Angli pas vendimit të kësaj të fundit për të dalë nga BE-ja (Brexit).