Prifti libanez Mansour Labaki, i cili u dënua me 15 vjet burg nga një gjykatë franceze në mungesë për abuzim seksual me tri vajza në Francë, vlerësohet se ka abuzuar seksualisht me 50 persona në Francë dhe dyfishin e këtij numri në Liban, tha një avokate franceze.
Gjykata Penale e Kaenit në Francën perëndimore dënoi më 8 nëntor priftin 81-vjeçar për abuzim seksual me vajzat në një konvikt që ai hapi dhe menaxhoi për jetimët libanezë në Douvres-la-Delivrande midis viteve 1991 dhe 1998.
Rasti kundër tij u ngrit në prill të vitit 2013 nga njëra prej viktimave e cila u sulmua seksualisht në moshën 13-vjeçare.
Labaki ka qëndruar në Liban që atëherë dhe nuk ka marrë pjesë kurrë në seancat dëgjimore. Ai nuk ka të drejtë të apelojë vendimin dhe do të burgoset nëse hyn në Francë.
“Kam frikë për sa kohë që qeveria libaneze nuk e dorëzon Labaki-n, Franca nuk ka asnjë shans për ta dërguar atë në burg”, tha për Anadolu Agency (AA) Solange Douminic, e cila ka qenë avokate e viktimës që nga viti 2013 dhe një nga avokatet kryesore të çështjes.
“Ai nuk erdhi kurrë (në gjykatë) sepse e dinte se do të arrestohej”, tha avokatja, duke shtuar se besohet se ai ka abuzuar seksualisht ose ka përdhunuar shumë të tjerë.
“Si pjesë e hetimit (në Francë), ne ishim në gjendje të numëronim se 50 persona iu nënshtruan abuzimit seksual ose përdhunimit”, tha Douminic.
“Mund të imagjinojmë lehtësisht se ky numër është dyfish në Liban”, shtoi ajo.
Më herët, Labaki kishte mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, duke i cilësuar ato si konspiracion.
Ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli në vitin 2016. Megjithatë, asnjë masë kundër tij nuk është ndërmarrë nga Libani.
Celeste Akiki, mbësa e Labaki-t dhe një nga tri viktimat në fjalë, tha në një deklaratë të mëparshme se xhaxhai i saj ka lidhje të forta me autoritetet fetare dhe kjo është arsyeja pse ai mbetet i paprekshëm në Liban. /aa