Prezenca Islame ne Suedi.

Behar Kaçeli

Islami në Suedi dhe në vendet skandinave daton që në shek. VII-X, kur Vikingët bënin tregti me myslimanët gjatë “Epokës së Artë Islame”. Gjatë këtyre shekujve përveç kontakteve të tregtarëve myslimanë me origjinë nga Azia Qendrore, Andaluzia dhe Italia, i shtohen edhe kontaktet e evazioneve dhe inkurpimeve ushtarake të vikingëve si nga Lindja nëpërmjet Vollgës në Kaspik, ashtu edhe nga Perëndimi nëpërmjet brigjeve të Francës në Andaluzi. Më vonë janë tatarët ata që i kanë shtuar akoma më shumë këto kontakte ndoshta duke i kthyer myslimanët edhe në autoktonë të atyre trojeve, si gjatë sundimit të Hordisë së Artë ashtu edhe si ushtarë të ushtrisë cariste ruse në luftërat e Baltikut dhe Skandinavisë.

Në mënyrë zyrtare, në rregjistrimin suedez të vitit 1930 janë regjistruar 15 persona si pjesë e grupit të “besimeve aziatike”, megjithëse kjo nuk pasqyron një numër të saktë të tyre, duke marrë parasysh se në këtë kohë në vendet skandinave ka pasur një prezencë të gjerë të tatarëve finlandezë që kanë një prezencë shumë të hershme në gjeografinë estoneze dhe finlandeze. Ndërsa sot, sipas një raporti të vitit 2019, publikuar nga Agjensia Suedese për Mbështetjen e Komuniteteve Fetar, në Suedi jetojnë afërsisht 250 mijë myslimanë që praktikojnë rregullisht fenë e tyre. Ndërsa raporti ndërkombëtarë i Lirisë Fetare në Suedi, publikuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, në vitin 2014 përcaktoi shifrën e 600 mijë myslimanëve në Suedi, afërsisht me 6% të popullsisë.[ International Religious Freedom Report 2014 : “Sëeden”, U.S. Department Of State.] Ndërsa raporte të tjera përcaktojnë një shifër tjetër akoma më të lartë duke i cilësuar muslimanët mbi 10% të popullsisë aktuale.

Në fakt, kontakte ndërmjet Skandinavisë dhe Lindjes së Mesme datojnë shumë të hershme, në një varrezë së epokës ë hekurit janë gjetur monedha arabe preislamike, me origjinë nga Lindja e Mesme. Gjithashtu gjetjet arkeologjike kanë vërtetuar kontaktin e Vikingëve me Islamin që në shek. VII.[ “Sëedes find Viking-era Arab coins”. BBC Neës. 4 April 2008. Retrieved 12 October 2017.] Bastisja e vikingëve në Sevilja ka ndodhur në vitin 844, gjatë sundimit të Emirati Emevit të Kordobës. Pas invzionit të tyre në veri të Spanjës dhe Portugali, një flotë vikinge mbërriti në Sevilja përmes lumit Guadalkuivir, ku bastisën qytetin nga 25 shtatori gjer më 3 tetor. Emiri i Kordobës Abdurrahmani II, mobilizoi një forcë të madhe dhe nën komandën e Haxhib Isa bin Shuhajd, ushtria myslimane i mundi vikingët. Kjo bëri që pas kësaj ndodhie, Emiri i Kordobës të ndërtojë një flotë shumë të madhe që t’i bënte ballë çdo lloj sulmi tjetër detar, gjithashtu të vendosen edhe kontakte më të dendura me Vikingët sidomos ata që kontrollonin ishujt Britanik dhe Veriun e Francës. Kjo bëri që pas vitit 844, nuk kemi më asnjë sulm apo invazion ushtarak tjetër nga ana e vikingëve në tokat islame. Shumë historianë perëndimorë, si: Hugh N. Kennedy dhe Neil Price kanë bërë studime krahasuese për reagimin e shpejtë të myslimanëve gjatë bastisjeve të 844, si dhe organizimin e mbrojtjeve afatgjata të tyre, nw krahasim me përgjigjet e dobëta të dinastisë Karolingiane dhe Anglo-Saksonëve kundër agresionit viking.[ Kennedy, Hugh, Muslim Spain and Portugal: A Political History of al-Andalus. Routledge 2014.]

Përshrkimi më i hershëm në burimet gjeografike islame vjen nga Ibn Hurdadhbih, kreu i shërbimit postar dhe inteligjencës në rajonin e Xhibalit, në vitet 840. Atje ai përshkruan Rusët (emri i përdorur nga shkrimtarët arabë për të treguar veriorët) që lundronin në Detin Kaspik dhe arrinin deri në Bagdad, ku transportonin mallrat e tyre me deve. Autori përmend se rusët pretendonin të ishin të krishterë, gjë që tregon ndoshta se ata kishin tashmë disa njohuri për konventat tregtare lokale, pasi kjo do t’i lejonte ata të paguanin dogana më të ulëta si pasues të krishtërimit “ehl al-kitab” sesa si idhujtarë “maxhus”.[ Ibn Hurdadhbih, Kitab al-masalik ëa ’l-mamalik, pp. 115–16.] Në fund të shek. IX Al-Jakubi, në Kajro, shkruan se Rusët janë të njëjtë me “maxhus”, ose vikingët, të cilët bastisën Seviljen në 844/5. Kjo fjali e vetme është e rëndësishme në atë që na tregon se muslimanët dallonin identitetin e këtyre popujve të huaj.[ Al-Jakubi, Kitab al-Buldan, p. 354.] Vikingët i hasim pothuajse në të gjithë veprat historiko-gjeografike islame, me të gjithë detajet dhe karakteristikat e tyre. Përshkrimin e tyre e hasim te Ibn Ruste, Ibn Fadlan, etj.

Ibn Fadlanit i bën shumë përshtypje pamja e tyre fizike: “Nuk kam parë kurrë fizik më të përsosur se i tyre – ato janë si palma, janë të pashëm dhe të kuqërremtë”. gjithashtu ai përcjell me detaje ceremoninë e varrimit të njërit prej princërve të tyre.[ Ahmad Ibn Fadlan: Mission to the Volga, N.Y. University Press), pp. 110–20.] Rrëfimi i Ibn Fadlanit për udhëtimin e tij nga Bagdadi te Mbreti i Bulgarëve të Vollgës në 921-922 mban një vend unik midis burimeve arabe në Rusi, sepse është përshkrimi më thelbësor dhe më i detajuar që kemi për çdo komunitet viking nga çdo vend apo kohë. , si dhe më i njohuri dhe më i studiuari.

Nga ana lindore, vikingët depërtuan në zemër të Kaspikut në vitin 913. Në historiografinë islame kjo njihet si “fushata ruse e kaspikut”, për që në të vërtetë ishin vikingët ata që depërtuan kaq thellë. Një flotë prej 500 anijesh arriti në brigjet jugore të Detit Kaspik përmes vendit të Hazarëve. Për të siguruar një kalim paqësor nëpër tokën e hazarëve, u premtuan kazarëve gjysmën e plaçkës së luftës. Ata lundruan poshtë lumit Dnieper në Detin e Zi, pastaj në Detin e Azov, pastaj deri në lumin Don, duke kaluar qytetin Khazar të Sarkelit, dhe më pas me një portar arritën në Vollgë, që i çoi në Detin Kaspik.[ Logan, F. Donald (2005). The Vikings in History. Routledge. p. 224.] Një inkursion tjetër viking në trojet islame të Lindjes shënohet edhe vitin 943. Kjo tregon se ata kanë qenë të tërhequr nga pasuria dhe ari që gjendej në atë kohë në qytetet dhe tregjet e Taberistanit, Azerbajxhanit, Gjerogjisë, etj.

Behar Kaçeli

May be an image of map and text