Ish – drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni ka thënë se burim i pashterrshëm i aferave korruptive në Kosovë janë tenderët në Kosovë. Ai ka thënë se korrupsioni i imët nuk përbën problem, por tenderët mbesin problem më i madh.
“Korrupsioni i imtë nuk është problem në Kosovë, ne kemi një polici rrugore jo të korruptuar, e kemi një mjekësi familjare primare jo të korruptuar, problemet mbesin tenderët, problem mbetet prokurimi publik, problem mbetet fusha ku zyrtarët e pandërgjegjshëm po tentojnë që me rrezikim të vogël të përfitojnë shumë dhe shpejtë”, ka theksuar Preteni për REL.
Autoritetet e Kosovës, vlerësohet se çdo herë kanë hasur në vështirësi në reformat, të cilat është dashur t’i bëjnë në fushën e prokurimit.
Që nga miratimi i Ligjit të prokurimit publik në vitin 2003 e deri më tani, ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime.
Buxheti i Kosovës për këtë vit ka qenë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit ishin paraparë të investohen në projekte kapitale, projekte këto të cilat i nënshtrohen procedurave tenderuese.
Pikërisht, thotë Preteni, janë investimet kapitale të cilat në të shumtën e rasteve dështojnë për shkak të parregullsive që paraqiten në fushën e prokurimit publik.
“Investimet kapitale realizohen ne fushën e tenderëve edhe në shumicën prej këtyre rasteve dështojnë sepse paraprakisht nuk mund të merren vesh se cila kompani duhet të fitojë. Jemi dëshmitarë të asaj që po ndërron ligji vazhdimisht, po amandamentohet, po ndryshon, po barten kompetencat prej një institucioni në institucionin tjetër dhe rezultate nuk ka”, thotë Preteni.
Ekspertët në Kosovë thonë se niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit publik vlerësohet të ketë pasur efekte negative edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë tregojnë se ka raste të shumta të bizneseve të cilat ankohen për parregullsitë në fushën e prokurimit publik.