Lawrence Hill-Cawthorne, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bristolit, ka thënë: “Kjo është kundër asaj që për një kohë të gjatë ka qenë ide themelore në ligjin që zbatohet në konfliktet e armatosura, e cila është që spitalet dhe personeli mjekësor janë të mbrojtur”.
Stafi mjekësor palestinez në Gaza ka rrëfyer se u ishin lidhur sytë, ishin arrestuar, ishin detyruar të zhvisheshin dhe ishin rrahur vazhdimisht nga trupat izraelite, pas bastisjes së muajit të kaluar në spitalin ku ata punonin.
Ahmed Abu Sabha, mjek në spitalin “Nasser”, e ka përshkruar se ishte mbajtur për një javë në arrest. Ka treguar se ia kishin vërsulur disa qen dhe se një ushtar izraelit ia kishte thyer krahun.
Mjekët kanë treguar se ishin poshtëruar, rrahur, lagur me ujë të ftohtë dhe detyruar të rrinë të gjunjëzuar në pozita të parehatshme me orë të tëra. Ata kanë thënë se kanë qenë nën arrest për disa ditë para se të liroheshin.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit (IDF) nuk është përgjigjur ndaj këtyre pretendimeve e as nuk ka mohuar pretendimet specifike për keqtrajtim. Por, ka mohuar se stafi mjekësor është lënduar gjatë operacionit të tyre.
IDF-ja ka thënë se “çdo lloj abuzimi me të arrestuarit është kundër rregullave të IDF-së dhe kjo nënkupton se është rreptësisht e ndaluar”.
IDF-ja ka bastisur spitalin në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis – i cili ka qenë një nga të paktit që punonte në Gazë – më 15 shkurt, duke thënë se inteligjenca ka treguar se spitali strehonte luftëtarë të Hamasit.
Ushtria izraelite po ashtu ka thënë se pengjet izraelite, të marra më 7 tetor, kanë qenë duke u mbajtur atje – dhe disa nga pengjet publikisht kanë thënë se ishin mbajtur në “Nasser”. Hamasi ka mohuar që luftëtarët e tij operojnë në objekte mjekësore.
“Kushdo që provonte të lëvizte kokën ose të bënte ndonjë lëvizje është qëlluar”, ka thënë Atef Al-Hout, drejtori i përgjithshëm i spitalit. “Ata i lanë ata në një pozitë poshtëruese për të paktën dy orë”.
IDF-ja ka thënë: “Si rregull, gjatë procesit të arrestimit, shpesh është e nevojshme për të dyshuarit të dorëzojnë rrobat e tyre, në mënyrë që të kontrollohen dhe të sigurohet që nuk mbajnë ndonjë jelek me eksplozivë ose armë të tjera. Rrobat nuk u kthehen menjëherë të arrestuarve, për shkak të dyshimeve se mund të fshehin ndonjë mjet që mund të përdoret për qëllime armiqësore (si p.sh. thika). Të arrestuarve u kthehen rrobat kur është e mundur”.
Stafi mjekësor ka thënë se janë dërguar në një pjesë brenda spitalit, janë rrahur dhe pastaj janë transportuar në një objekt paraburgimi, të zhveshur.
Abu Sabha, mjek 26-vjeçar i sapokualifikuar dhe vullnetar në “Nasser”, ka përshkruar si torturë disa nga detajet e trajtimit të tij gjatë paraburgimit, siç ishte qëndrimi në këmbë për orë të tëra pa pushim. Ai ka thënë se dënimet e tjera të të arrestuarve përfshinin edhe shtrirjen në bark për kohë të gjatë dhe vonesë të vakteve.
Një ekspert në të drejtën humanitare ka thënë se imazhet dhe dëshmitë nga stafi mjekësor ishin “jashtëzakonisht shqetësuese”. Ai ka thënë se disa nga rrëfimet e ofruara “kalojnë qartësisht në kategorinë e trajtimit mizor dhe çnjerëzor”.
Lawrence Hill-Cawthorne, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bristolit, ka thënë: “Kjo është kundër asaj që për një kohë të gjatë ka qenë ide themelore në ligjin që zbatohet në konfliktet e armatosura, e cila është që spitalet dhe personeli mjekësor janë të mbrojtur”.
“Fakti që mjekët trajtojnë shtetas të palës armike nuk duhet të cenojë në asnjë mënyrë mbrojtjen e tyre”, ka thënë ajo.
BBC-ja ka hetuar për disa javë storien e spitalit, duke biseduar me mjekë, infermierë, farmacë dhe persona të zhvendosur që gjendeshin në kampe në afërsi të spitalit. Janë kontrolluar në detaje të gjitha dëshmitë.
Janë siguruar emrat e 49 të arrestuarve të personelit mjekësor të spitalit “Nasser”.
Tre mjekë kanë thënë se ishin arrestuar dhe më vonë ishin liruar. Në mesin e tyre ishte edhe Abu Sabha.
Familjet e pesë mjekëve të tjerë të spitalit kanë thënë se ata akoma janë të zhdukur. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka konfirmuar për BBC-në që ka marrë një duzinë të telefonatave nga njerëzit që thonë se anëtarët e familjeve të tyre, duke përfshirë edhe mjekët që ishin në “Nasser” janë të zhdukur.
Mjekët që kanë mbetur në “Nasser” kanë thënë se operacioni i IDF-së në spital i ka lënë ata të paaftë për t’u kujdesur për pacientët. Kur IDF-ja ka marrë kontrollin, gati 200 pacientë ishin duke u trajtuar aty, shumë prej tyre nuk ishin në gjendje të ngriheshin nga shtrati, duke përfshirë edhe gjashtë që ishin në kujdes intensiv, ka thënë Hout.
Stafit që iu lejua të qëndronte në spital ka përshkruar se janë urdhëruar për t’i lëvizur pacientët e sëmurë rëndë midis ndërtesave, janë larguar nga detyrat e tyre për t’u marrë në pyetje dhe u janë caktuar pacientë, për rastet e të cilëve nuk ishin të trajnuar për t’u përballur, të gjitha këto teksa ata ishin duke punuar në kushte johigjienike dhe të ngushta.
Disa mjekë kanë thënë se 13 pacientë kanë vdekur në ditët pas operacionit izraelit.
Ata kanë thënë se shumë nga pacientët kishin vdekur nga kushtet e rënda në spital, duke përfshirë mungesën e rrymës elektrike, ujit dhe gjërave të tjera esenciale të nevojshme për funksionimin e “Nasserit”.
Ushtria izraelite ka thënë se kishte “pajisur spitalin me qindra racione të ushqimit dhe një gjenerator alternativ që i ka mundësuar spitalit të funksiononte dhe të trajtonte pacientët brenda tij”.
“’Sistemet esenciale’ të spitalit kanë vazhduar të funksionojnë gjatë operacionit të IDF-së me një sistem furnizimi me energji të pandërprerë”, ka thënë IDF-ja
Më 18 shkurt, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka thënë se spitalet kishin mungesë të ushqimit dhe pajisjeve bazike mjekësore dhe se kishin pushuar së funksionuari. Pacientët e mbetur ishin dërguar në spitale të tjera rreth Gazës dhe se stafi mjekësor që ka punuar atje është larguar më pas.
Image
Mjeku: “Mendova se do të ekzekutohesha”
Të arrestuarit e liruar dhe mjekët e tjerë kanë thënë se ndërtesa e maternitetit, e quajtur “Mubarak”, ishte bërë vendi ku IDF ka marrë në pyetje dhe ka rrahur stafin. Doktori Abu Sabha ka thënë se në fillim ishte zgjedhur që të qëndronte me pacientët pas bastisjes, por është dërguar më vonë në “Mubarak”, i cili, sipas tij, ishte “shndërruar në një vend torture”.
“Ata më vendosën në një karrige, e cila dukej si një vend varjeje”, ka thënë ai. “Unë dëgjova zhurma të litarëve, kështu që mendova se do të më ekzekutonin”.
“Pastaj ata thyen një shishe, me të më prenë këmbën dhe e lanë të rridhte gjak. Pastaj filluan t’i sillnin mjekët një nga një dhe i vendosën afër njëri-tjetrit. Unë dëgjoja emrat dhe zërat e tyre”.
IDF-ja ka mohuar pretendimet.
Të tre të arrestuarit kanë thënë se ishin vendosur në automjete ushtrie dhe janë rrahur teksa transportoheshin në grupe më të mëdha. Ushtarët i kanë rrahur ata me shkopinj, gypa, me armë dhe grushte, kanë thënë ata.
“Ishim të zhveshur. Vetëm me të brendshme. Ata na vendosën sipër njëri-tjetrit. Dhe na quan jashtë Gazës”, ka thënë njëri nga mjekët që dëshironte të qëndronte anonim. “Tërë rrugës na godisnin, na shanin dhe na poshtëruan. Derdhën ujë të ftohtë mbi ne”.
Doktori Abu Sabha ka thënë se gjatë udhëtimit, ushtarët kanë marrë të arrestuarit jashtë automjetit. “Ata na çuan në një tokë të mbuluar me zhavorr, na detyruan të gjunjëzoheshim dhe na mbuluan sytë… Kishte një gropë në tokë dhe ne menduam se ata do të na ekzekutonin dhe do të na varrosnin aty. Ne filluam të luteshim”.
Ai pastaj ishte dërguar në një ndërtesë ku mbaheshin së bashku me të arrestuarit e tjerë, ka thënë ai.
Dy të liruarit e tjerë kanë thënë se në një pikë iu janë nënshtruar kontrolleve mjekësore, por asnjë mjekim. Njëri ka thënë se në vend se të kishte marrë trajtim për lëndimin e tij, një ushtar i IDF-së e ka goditur atë ku ishte i lënduar.
Abu Sabha ka thënë se të arrestuarit ishin ndëshkuar shpesh për shkelje të perceptuara.
“Në një pikë, shamia në sytë e mi lëvizi pak poshtë dhe duart e mia ishin në pranga pas shpinës dhe nuk munda ta rregulloja. Ata më nxorën jashtë për të më dënuar… Po rrija me duart e ngritura mbi kokë dhe fytyra ime rrinte e ulur poshtë. Pastaj, një ushtar më kërkoi t’i afrohesha. Kur u afrova, ai më goditi dorën vazhdimisht derisa u thye”.
Më vonë atë ditë, ai është dërguar në tualet, ishte rrahur dhe ia kishin lëshuar qentë, ka thënë ai.
Ditën tjetër, një mjek izraelit ia ka vendosur dorën në gips dhe pastaj ushtarët izraelitë i kanë vizatuar “Yllin e Davidit” mbi të, ka thënë ai. Ky gips iu kishte ndërruar pastaj nga një mjek në Gazë.
Të tre mjekët ishin pyetur kryesisht për vendndodhjen e pengjeve ose të luftëtarëve të Hamasit brenda spitalit, gjithashtu për vendndodhjen e tyre gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Meqë nuk kishin prova, oficerët e IDF-së iu kanë thënë atyre se do të liroheshin. Ata janë transportuar në Gazë me sy të mbuluar pas lirimit të tyre.
“Kishim arsye për të supozuar se ata kishin informacione, kështu që i kemi marrë në pyetje, por jo përtej kësaj”, ka thënë një zyrtar i IDF-së. “Nuk kishte as pranga, nuk kishte arrestime, por vetëm u morën për t’u pyetur për informacione për pengjet dhe komandantët e Hamasit që ishin në spital”.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka thënë se që nga sulmet e 7 tetorit, Izraeli ka ndaluar vizitat e të arrestuarve, pra nuk ka pasur mundësi t’i vizitonte ata. Ka thënë se janë të shqetësuar nga raportet e arrestimeve dhe arrestimeve të vazhdueshme të mjekëve.
“Kudo dhe kushdo që janë ata, të arrestuarit duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet gjithmonë, në pajtim me ligjin ndërkombëtar humanitar”, kanë thënë ICRC-ja.
Spitali “Nasser” mezi funksiononte
Në spitalin “Nasser”, shumë pak mjekë janë lejuar të qëndrojnë dhe të kujdesen për pacientët. Disa pacientë ishin arrestuar gjatë bastisjes, sipas doktorit Houti.
Mjekët e mbetur në spital kishin frikë se do të qëlloheshin nëse nuk ndiqnin urdhrat për t’u larguar nga ndërtesa, ka thënë Hatim Rabaa, i cili punonte në “Nasser”. Por, gjithsesi ata kanë shkuar poshtë në oborr për të marrë ujë, të shqetësuar se pacientët mund të vdisnin, ka shtuar ai.
“Njerëzit ishin duke vdekur nga etja. Në krahët e mi mbajta njëmbëdhjetë litra ujë që t’ua dërgoja njerëzve për të pirë. Çfarë tjetër mund të bëja?”
Disa mjekë kanë thënë se IDF-së nuk i është dhënë leje për të varrosur ose larguar trupat e pacientëve të vdekur, si pasojë e operacionit të tyre. Trupat kanë mbetur brenda me stafin dhe pacientët derisa kanë filluar të dekompozoheshin, kanë thënë mjekët.
“Era u shpërnda në të gjithë departamentin”, ka thënë Rabaa. “Pacientët bërtisnin ‘ju lutem largojini që këtu’. Unë iu thosha se ‘kjo nuk është në duart e mia’”.
Doktori Rabaa ka treguar se një grup i vogël i mjekëve vendosën të qëndronin me pacientët. Ai tha se edhe vetë ishte zhveshur në të brendshme nga ushtarët izraelitë dhe ishte detyruar të ulej në gjunjë. Ai më pas u dërgua te ndërtesa ku po mbaheshin pacientët. Rabaa ka thënë se nuk e di se çfarë u ka ndodhur kolegëve të tij.
BBC ka pyetur Ushtrinë izraelitë për pretendimet.
IDF-ja ka thënë se “rreth 200 terroristë dhe të dyshuar për aktivitete terroriste u arrestuan, përfshirë disa që po shtireshin si staf mjekësor”.
Ushtria ka thënë se “u gjetën shumë armë dhe ilaçe”.
U tha se “është vepruar në mënyrë adekuate, duke krijuar dëme minimale në aktivitetin e spitalit dhe nuk u dëmtua asnjë pacient apo staf mjekësor”.
Përgatiti: Latra Gashi/ koha