Kryetari i Fondacionit për Siguri dhe Drejtësi, Nourdeen Wildeman tha se ndaj qeverisë së Mianmarit duhet të zbatohen presione diplomatike për shkak të sulmeve kundrejt muslimanëve Rohingya në Arakan, raporton Anadolu Agency (AA).
Wildeman, kryetari i Fondacionit të formuar në vitin 2013 në Holandë për t’i ofruar shërbim muslimanëve Arakanë, ka bërë disa deklarata për gazetarin e AA-së në lidhje me dhunën me të cilën po përballen muslimanët në Arakan.
Pasi ka tërhequr vëmendjen se ka arritur në përmasa shqetësuese dhe frikësuese dhuna e ushtruar ndaj muslimanëve Rohingya nga qeveria e Mianmarit, Wildeman i cili ka pranuar islamin 10 vite më parë ka thënë se “Është shqetësuese sepse nëse do të vazhdojë kështu mund të shkaktojë edhe një dhunë më të madhe. Për Rohingyat nuk është edhe shumë larg gjenocidi i cili shprehet nga disa institucione. Ndërsa ana frikësuese janë disa nga pamjet të cilat na vijnë për egërsinë që përjetojnë fëmijët, të moshuarit dhe populli. Këto pamje na thyejnë zemrën”.
Ndër të tjera duke vënë theksin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ngre zërin kundër dhunës së ushtruar ndaj muslimanëve në Arakan, Wildeman, tha se “Të gjitha vendet që kanë marrëdhënie ekonomike me qeverinë e Mianmarit duhet të deklarojnë hapur se do të ndërpresin tregtinë në rast të vazhdimit të persekutimit ndaj muslimanëve në Arakan. Kundër strategjisë dhe metodës që qeveria e Mianmarit po zbaton krahas embargos ekonomike duhet të ushtrohet edhe presion diplomatik”.
“Institucionet duhet të jenë aktivë në një mënyrë më të fuqishme. Përjetimet në Arakan duhet të zgjidhen me rrugë politike dhe diplomatike. Aktualisht në rajon ka vetëm dhunë”, tha Wildeman duke theksuar se duhet të mbështeten nga të gjitha vendet iniciativat e propozuara nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Më tej pasi ka vënë theksin se si fondacion krahas ndihmave humanitare kanë zhvilluar edhe punime për ndërgjegjësimin shoqëror përmes mediave sociale dhe lobingje politike Wildeman deklaroi: “Jemi gjithmonë në kontakt me deputetët holandezë dhe Ministrinë e Jashtme në mënyrë që dhuna e zbatuar ndaj muslimanëve në Arakan të jetë në rend dite. Jemi në bashkëpunim me organizatat Rohingya në vende të ndryshme. Për herë të fundit kur vizitova Mianmarin përpara muajit të Ramazanit vërejta se Rohingyat tashmë nuk kanë besim as tek OKB-ja dhe nuk u kishte mbetur asnjë shpresë. Po shkelen në mënyrë sistematike të gjitha të drejtat themelore ndaj një populli”.