Presidentja e Universitetit Columbia jep dorëheqjen pas presionit nga administrata Trump

Katrina Armstrong

Presidentja e Universitetit Columbia, Katrina Armstrong, e cila ishte në detyrë vetëm që nga gushti, ka dhënë dorëheqjen mes akuzave se u dorëzua shumë shpejt ndaj administratës Trump.

Javën e kaluar, Columbia njoftoi se do të zbatonte një sërë reformash të kërkuara nga qeveria federale, përfshirë dhënien e kompetencave për arrestim policisë universitare dhe mbikëqyrje të re për Departamentin e Studimeve të Lindjes së Mesme.

Këto masa synonin të ndihmonin në rikthimin e 400 milionë dollarëve grante federale vjetore që administrata Trump anuloi për universitetin – rreth një të pestën e buxhetit të tij operacional.

Ky ndëshkim u dha për shkak të akuzave për anti-semitizëm dhe mënyrën se si universiteti kishte trajtuar protestat kundër luftës së Izraelit në Gaza.

Megjithëse nuk ka asnjë garanci që financimi federal do të rikthehet, Armstrong së fundmi u vlerësua nga sekretari i Arsimit i Trump për pranimin e këtyre kërkesave.

Megjithatë, shumë anëtarë të stafit akademik të Columbias e kritikuan këtë vendim, duke e parë si një dorëzim pa asnjë betejë ligjore. Ka gjithashtu shqetësime se kjo do ta inkurajojë administratën Trump të shënjestrojë edhe universitete të tjera, një proces që tashmë ka nisur.