Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zhvilloi një vizitë në Administratën e Qipros Jugore Greke (GCA), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin qipriot grek, mësohet se Ursula von der Leyen në kuadër të vizitës së saj në Qipron Greke u takua në rezidencën presidenciale të Qipros greke me udhëheqësin e administratës greke qipriote (GCA), Nikos Anastasiades.
Në një konferencë pas takimit me Anastasiades, presidentja e KE-së, Von der Leyen dha një deklaratë përpara vizitës që presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të zhvillojë në Republikën Turke të Qipros Veriore (TRNC). “Dua të përsëris edhe njëherë se (në Qipro) nuk do të pranojmë kurrë zgjidhjen me dy shtete. Jemi të vendosur dhe në unitet për këtë çështje. Dhe kjo është ajo që Qiproja pret”, tha presidentja e KE-së.
Ajo theksoi se të gjithë anëtarët e BE-së janë në solidarizim me Qipron greke dhe se uniteti është aspekti më i rëndësishëm i BE-së.
E ndodhur në Qipro me qëllim për të dorëzuar miratimin e “Planit të Shpëtimit dhe Qëndrueshmërisë” së BE-së lidhur me pjesën e Qipros greke, Von der Leyen në takim tha se “Është e kënaqur për Planin e Shpëtimit i cili do të fillojë të zbatohet në Qipron greke”. Von der Leyen informoi se plani në fjalë përfshin edhe pagesën prej 18 milionë euro për t’u përdorur në luftën kundër fatkeqësive në Qipron greke.
Në lajm thuhet se Anastasiades dhe Von der Leyen më pas vizituan Universitetin e Qipros dhe se me një ceremoni të mbajtur këtu Von der Leyen ka shpallur miratimin e pjesës prej 1.2 miliardë euro të Planit të Shpëtimit dhe Qëndrueshmërisë të BE-së lidhur me pjesën qipriote greke.
Në konferencën për media Anastasiades dhe Von der Leyen vendosën theksin për “reformat balancuese dhe përmbajtjen e investimeve” të planit në fjalë.
Von der Leyen e cila ka filluar vizitën e saj në administratën e Qipros greke dje, vizitoi zonën e prekur nga një zjarr i madh në Qipron greke javën e kaluar. /aa