Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, priti në një takim të enjten vonë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në aeroportin “Esenboga” në kryeqytetin turk Ankara, transmeton Anadolu.
Gjatë takimit të pranishëm ishin edhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, kryekëshilltari i presidentit Akif Çağatay Kılıç, si dhe drejtori i Komunikimeve i Presidencës turke Fahrettin Altun.
Takimi u mbajt prapa dyerve të mbyllura.
Presidenti turk Erdoğan pret në takim Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken
Blinken mbërriti sot në Ankara për t’u takuar me ministrin e Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan.
Blinken u prit në aeroport nga ambasadori Ahmet Cemil Miroğlu, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Protokollit të Ministrisë së Jashtme turke; Michael Goldman, i ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-së në Ankara; dhe disa zyrtarë të tjerë.
Blinken, i cili vizitoi Jordaninë përpara se të mbërrinte në Türkiye, pritet të takohet të premten me ministrin Fidan.
Vizita e Blinkenit pritet të fokusohet në procesin e tranzicionit pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit në Siri dhe në procesin politik të vendit, si dhe një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gaza, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
Fidan dhe homologu i tij amerikan Blinken diskutuan me telefon mbi zhvillimet e fundit në Siri më 7 dhe 10 dhjetor.