Presidenti turk Erdoğan do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Brazil

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të udhëtojë në Brazil për të marrë pjesë në Samitin dyditor të Liderëve të G20-ës, i cili do të fillojë të hënën, transmeton Anadolu.

Drejtori i Drejtorisë së Komunikimeve i Turqisë Fahrettin Altun njoftoi në X se Erdoğan do të vizitojë Brazilin për të marrë pjesë në Samitin e 19-të të Liderëve të G20-ës, i cili do të mbahet në Rio de Zhaneiro më 18-19 nëntor.

“Gjatë samitit, liderët e G20-ës do të shkëmbejnë pikëpamjet në tri sesione nën temën kryesore ‘Ndërtimi i një bote të drejtë dhe një planeti të qëndrueshëm’. Erdoğan do të zhvillojë gjithashtu takime me liderët e G20-ës dhe krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse me rastin e samitit”, tha ai.