Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur me ceremoni shtetërore presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili gjendet në Turqi për vizitë zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Thaçi, i cili nga rruga para rezidencës presidenciale deri te porta protokollare u përcoll nga kalorësit, në portën kryesore të rezidencës u prit nga presidenti Erdoğan, ndërsa më pas u intonuan himnet e dy shteteve.
Presidenti Thaçi përshëndeti trupën e nderit me thirrjen “Merhaba Asker”, ndërsa në vendin e ceremonisë të gatshëm ishin edhe ushtarët të cilët mbanin në duar flamujt e 16 shteteve turke.
Presidenti i Turqisë dhe ai i Kosovës shtrënguan duart përpara flamurit të Turqisë dhe atij të Kosovës të vendosur në shkallët e rezidencës shtetërore.
Pas përfundimit të ceremonisë, dy presidentët janë njohur me delegacionet përkatëse dhe më pas ka nisur takimi kokë më kokë dhe ai mes delegacioneve.
Në ceremoni morën pjesë edhe ministri turk i Arsimit İsmet Yılmaz, sekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Fahri Kasırga, zv/sekretari i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Presidencës İbrahim Kalın dhe zyrtarë të tjerë.