Presidenti Thaçi: Inkurajoj qytetarët për një votim më masiv

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi votoi në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, inkurajoi qytetarët “për një votim më masiv, një pjesëmarrje aktive dhe dinamike” në këtë proces të zgjedhjeve lokale në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi, i cili ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe djali i tij, theksoi se shpreson dhe beson që i gjithë mekanizmi politik, shoqëria civile, mediat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të gjithë vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtarë do të jenë në krye të përgjegjësive të tyre që “testi i demokracisë për Kosovën të përmbyllet me sukses”.

“Dëshiroj që të inkurajoj për një votim më masiv, një pjesëmarrje aktive dhe dinamike në këtë proces zgjedhor të rëndësishëm për qeverisjen e ardhshme lokale 4 vjeçare”, tha Thaçi.

Sot në orën 07:00 u hapën qendrat e votimit për zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë, ku sipas të dhënave të KQZ-së gjithsej 1.890.952 qytetarë kanë të drejtë vote që të votojnë për 204 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 6.887 kandidatë për kuvende komunale.

Numri i qendrave të votimit në këto zgjedhje është 899 me gjithsej 2.505 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale e cila ka zgjatur 30 ditë, përfundoi më 20 tetor në mesnatë. Shtetasit e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të votojnë deri në orën 19:00 kur edhe do të mbyllen kutitë e votimit.

Në zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. KQZ-ja ka akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2013.