Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme që është duke u zhvilluar në Prishtinë.
Para shumë deputetëve të parlamenteve të shteteve të ndryshme të Evropës, presidenti Thaçi ka theksuar se ndjehet krenar që përfaqëson popullatën më proevropiane në rajon dhe më proamerikane në Evropë.
Presidenti i informoi ata për konsultimet për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin brenda komuniteteve në Kosovë, për dialogun në Bruksel dhe për takimet që ka zhvilluar në Mynih.
“Ishte inkurajues mesazhi në Konferencën e Munihut të zëvendëspresidentit të ShBA-së, se ShBA-ja do të vazhdojë të jetë aleati më i sigurt i Evropës, se ShBA-ja do ta ruajë NATO-n, por edhe anëtarët e tjerë të NATO-së që t’i kryejnë obligimet e veta”, ka shtuar Thaçi.
Më pas, presidenti Thaçi ka bërë një bilanc të nëntëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se deri tani Kosova është njohur nga 113 shtete.
Sipas tij, në këto nëntë vite janë përpiluar ligjet më të avancuara në rajon, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare është zhvilluar policia, është ruajtur trendi i zhvillimit ekonomik dhe janë integruar komunitetet në institucionet e shtetit.
“Kemi ndërtuar Forcën e Sigurisë profesionale, shumetnike, të përgatitur sipas standardeve të NATO-s. Kemi qenë të pakompromis në luftimin e radikalizmit, ekstremizmit dhe kërcënimeve nga terrorizmi. Jemi të përcaktuar qartë që e ardhmja jonë është në NATO dhe në BE”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se është e vërtetë që sot ka shumë skepticizëm në projektin e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, nganjëherë me të drejtë, pasi që BE-ja rrezikon të kthehet në një institucion burokratik që është i larguar nga qytetari.
“Ndonjëherë lihet përshtypja se në BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Por, askush nuk mund ta kontestojë që projekti i BE-së ka arritur me sukses misionin e vet themeltar, që të ruajë paqen në vendet e veta anëtare. Prandaj, edhe Kosova, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor synojmë anëtarësimin në BE dhe në NATO. Këto do të jenë themelet e paqes dhe të sigurisë në rajonin tonë”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet shteteve të rajonit dhe me atë të Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se nuk mund të tejkalohen barrierat politike, nuk mund të ketë integrim dhe bashkëpunim të mirëfilltë nëse e shikojmë njëri-tjetrin si kërcënim dhe si armiq.
“Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë, në paqe e në stabilitet nëse vazhdojmë të shohim njëri-tjetrin si kundërshtar. Është koha që të ndërtojmë narrativë tjetër, të përdorim fjalor tjetër për të përshkruar njëri-tjetrin, duke parë te njëri-tjetri një fqinj, një bashkëpunëtor, një bashkëqytetar”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Presidenti ka thënë se një rol të rëndësishëm në ndryshimin e opinioneve dhe qëndrimeve në shtetet e rajonit dhe të kontinentit kanë luajtur edhe parlamentarët, veçanërisht Komisionet për Politikë të Jashtme.
Sipas tij, kanë qenë parlamentarët që kanë thyer akullin e moskomunikimit zyrtar në mes Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën
“Pra, ju keni forcën për të ndryshuar diskursin, qëndrimet, vendimet politike me ndikim në tërë opinionin publik vendor. Forumet si ky sot janë momente kur shkëmbejmë informacion dhe politika sesi të integrojmë më mirë rajonin dhe ta bëjmë pjesë të organizatave ndërkombëtare që do të promovojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, ka shtuar në fund presidenti Thaçi.