Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian, Angelina Eichhorst, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në relacion me BE-në në Kosovë.
Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova dhe BE-ja kanë instaluar një bashkëpunim institucional dhe e falënderoi për përkrahjen që BE-ja ka dhënë për institucionet e Kosovës.
“Kosova është e vendosur për të ardhmen e saj euroatlantike”, u shpreh presidenti Thaçi.
“NATO dhe BE janë destinacionet e vetme të Kosovës”, shtoi ai.
Kurse, drejtoresha Eichhorst u shpreh e kënaqur për bashkëpunimin me Kosovën dhe për të arriturat në proceset e rëndësishme, si dialogu dhe MSA-ja.
Presidenti Thaçi po ashtu kërkoi nga BE-ja që të mos lejojë që Kosova të mbetet e izoluar, si dhe të marrë vendim që sa më parë të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
“Është vërtetë për keqardhje që për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, për shkak të ambicieve personale e partiake, të pësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të mbeten evropianët e vetëm të izoluar, pa mundësi që të lëvizin të lirë në kontinentin e tyre”, përfundoi presidenti Thaçi.