Presidenti Pendarovski i dorëzoi mandatin Zaevit për formimin e Qeverisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot i dorëzoi kryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, mandantin për formimin e Qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në bazë të nenit 84, paragafi 1, alineja e parë, në pajtim me nenin 90, paragrafi 1 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe propozimit të Koalicionit ‘Mundemi’, për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonia e caktoj Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi presidenti Pendarovski me rastin e solemnitetit të sotëm gjatë ndarjes së mandatit.

Mandatari Zaev, pas ndarjes së mandatit, deklaroi se e ka nderin dhe përgjegjësinë, që, siç tha, në pajtim me Kushtetutën, si kryesues i LSDM-së dhe koalicionit “Mundemi” që fituan më së shumti deputetë në Parlament sot e merr mandantin për formimin e “qeverisë së re demokratike, politikisht përgjegjëse, evropiane, me institucione që edhe më shumë edhe më mirë do t’i shërbejnë qytetarëve”.

“Nga ky moment në afat prej 20 ditëve kemi për detyrë të bëjmë propozim për program dhe për kuadro që shumica demokratike në Kuvend do t’i votojë dhe me këtë do të besoj mandat të plotë 4 vjeçar të qeverisë stabile, e cila është e gatshme të punojë, të shërbejë, e cila do të kujdeset për të gjithë qytetarët barabartë, e liruar nga çfarëdo paragjykimi etnik ose çfarë do nacionalizma etnik. Qeveri, e cila edhe më shumë do ta zhvillojë konceptin e një shoqërie për të gjithë”, tha Zaev.

Ai shtoi se para Kuvendit do të dorëzojë një propozim për Qeveri të përbërë nga kuadër përgjegjës që do të luftojë krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet dhe se programi i qeverisë do t’i kushtohet “ekonomisë së re maqedonase, e cila do të ketë kujdes të veçantë dhe më të madh për qytetarët më të varfër”.

“Maqedonia e Veriut do të fitojë qeveri e cila do të ndjek drejtimin e qartë për të cilën është përcaktuar shumica e madhe e qytetarëve, ajo është rruga evropiane, rruga e ekonomisë dhe drejtësisë, rruga e prosperitetit dhe stabiliteti afatgjat, do të udhëheq qeveri e cila nuk di të devijojë nga rruga e cila pas anëtarësimit në NATO shpie drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Do të udhëheq Qeveri e cila në tërësi i respekton Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgari dhe Marrëveshjen e Ohrit”, potencoi Zaev.

Me rastin e 19-vjetorit të firmosjes së Marrëveshjes kornizë të Ohrit me të cilën përfundoi konflikti i atëhershëm në vend, Zaev përcolli uratat deri tek të gjithë qytetarët dhe shprehu respekt për presidentin e atëhershëm Boris Trajkovski, për të cilin tha se “madhësia që të krijohet dhe pranohet Marrëveshja e Ohrit si zgjidhje e cila sot mundëson të kemi marrëdhënie të relaksuara mes bashkësive”.

Mes tjerash, Zaev tha se pret që më së shumti 20 ditë nga sot “Maqedonia e Veriut të ketë Qeveri efikase e cila menjëherë do t’u përkushtohet sfidave që i sjellë pandemia COVID-19, Qeveri e cila do të punojë në sigurimin e një jete më të mirë për çdo qytetar”.

Kujtojmë se më 25 korrik, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti, sipas të cilave koalicioni “Mundemi” (LSDM) fitoi 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, E Majta 2 mandate dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 1 mandat.