Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino hodhi poshtë kërcënimin nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, për të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë nëse tarifat e transitit nuk ulen, veçanërisht për anijet amerikane, transmeton Anadolu.
Mulino tha të dielën në një video që ai publikoi në llogarinë e tij X se kanali i përket Panamasë.
“Si president, dua të shpreh saktësisht se çdo metër katror i Kanalit të Panamasë dhe zonës ngjitur me të i përket Panamasë dhe do të mbetet i tillë. Sovraniteti dhe pavarësia e vendit tonë nuk janë të negociueshme”, tha ai.
Të shtunën, Trump akuzoi Panamanë për vendosjen e “çmimeve të tepruara” për anijet amerikane dhe i kërkoi vendit të Amerikës Qendrore të ulë tarifat ose ta kthejë kanalin nën kontrollin e SHBA-së.
Trump tha se kanali “nuk i është dhënë Panamasë për t’i vendosur çmime dhe tarifa të tepruara SHBA-së, marinës së saj ose korporatave që bëjnë biznes brenda vendit tonë. Marina dhe tregtia jonë janë trajtuar në një mënyrë shumë të padrejtë dhe të pahijshme”.
“Tarifat që vendosen nga Panamaja janë qesharake, veçanërisht duke ditur bujarinë e jashtëzakonshme që i është dhuruar Panamasë nga SHBA-ja. Ky ‘rrëmbim’ i plotë i vendit tonë do të ndalet menjëherë”, tha Trump.
Mulino theksoi se tarifat për përdorimin e kanalit u “përcaktuan publikisht dhe në një seancë dëgjimore të hapur, duke marrë parasysh kushtet e tregut, konkurrencën ndërkombëtare, kostot operative dhe nevojat e mirëmbajtjes dhe modernizimit të rrugës ndëroqeanike”.
Trump gjithashtu pretendoi se Kina është e përfshirë në menaxhimin e kanalit.
“Kanali nuk është nën kontroll të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, as nga Kina, as nga komuniteti evropian, nga SHBA-ja apo nga ndonjë fuqi tjetër”, tha Mulino, pa përmendur në mënyrë eksplicite Trumpin.
“Si një panamez, unë refuzoj me forcë çdo deklaratë që e shtrembëron këtë realitet”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit panamez tha se “Panamaja respekton vendet e tjera dhe kërkon respekt” dhe se me qeverinë e re amerikane, ai shpreson “të ruajë dhe të mbajë marrëdhënie respekti”.
Mulino tha se çështjet e sigurisë si migrimi i paligjshëm, trafiku i drogës, terrorizmi dhe krimi i organizuar duhet të jenë prioritet në agjendën dypalëshe. Mijëra emigrantë të parregullt udhëtojnë nëpër xhunglën Darien në Panama çdo vit për në SHBA.
Ndërkohë, presidenti kolumbian Gustavo Petro ka reaguar ndaj mesazhit në mbrojtje të vendit të Amerikës Qendrore. Petro tha në një mesazh në X se do të jetë “në anën e Panamasë dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj deri në pasojat e fundit”.
“Nëse qeveria e re amerikane dëshiron të flasë për biznes, ne do të flasim për biznes, ballë për ballë dhe për të mirën e popullit tonë, por dinjiteti nuk do të negociohet kurrë”, shkroi Petro në llogarinë e tij në X.
Kanali i Panamasë, i përfunduar nga SHBA-ja në vitin 1914, iu kthye Panamasë sipas një marrëveshjeje të vitit 1977 të nënshkruar nga presidenti amerikan Jimmy Carter.
Panamaja rifitoi kontrollin e plotë të kalimit tregtar më 31 dhjetor të vitit 1999.