Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se arritja e sigurisë dhe paqes varet nga ndërprerja e okupimit të territorit palestinez nga Izraeli, duke nënvizuar imperativin për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës, raporton Anadolu.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp të martën me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdoğan në Ankara, Abbas tha se “siguria dhe paqja mund të arrihen vetëm duke i dhënë fund pushtimit izraelit të tokës palestineze, me kryeqytetin e tij Kudsin Lindor”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt konsolidimit të unitetit tonë në përputhje me programet politike dhe angazhimet ndërkombëtare të Organizatës për Çlirimin e Palestinës”, shtoi ai.
Abbas dhe Erdoğan diskutuan mbi “zhvillimet e fundit në Palestinë, strategjitë për të ndalur agresionin e ashpër izraelit dhe mizoritë kundër popullatës në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kuds”.
Udhëheqësit theksuan rëndësinë e “ndjekjes së një rezolute politike, duke filluar me arritjen e anëtarësimit të plotë të Palestinës në OKB dhe njohjen e shtuar nga kombet e tjera”.
Abbas paralajmëroi kundër “përshkallëzimit të mundshëm të tensioneve gjatë muajit të Ramazanit për shkak të praktikave izraelite dhe pengimit të aksesit të adhuruesve në Xhaminë Al-Aksa”.
Ai përsëriti “kundërshtimin e vendosur të Palestinës ndaj zhvendosjes së popullit të saj nga Gaza, Bregu Perëndimor ose Kudsi”, duke theksuar domosdoshmërinë e një tërheqjeje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës, duke e konsideruar atë një komponent integral të shtetit palestinez.
Presidenti palestinez mbërriti në Türkiye të hënën për një vizitë zyrtare treditore.