Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas tha se ka ardhur koha për një konferencë ndërkombëtare për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve të Palestinës nga Izraeli dhe për të parandaluar financimin e armëve që vrasin fëmijët dhe të pafajshmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë përkujtimore me rastin e 17-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit palestinez Yaser Arafat që u mbajt në Pallatin e Kulturës në Ramallah u transmetua mesazhi zanor i Abbas.
Presidenti Abbas, në mesazhin e tij tha se “Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të ndryshojë marrëdhëniet që ka me qeverinë okupuese të Izraelit. Imponimi i mekanizmave ndërkombëtare të mbrojtjes duhet të ndërmarrin hapa konkretë për zhvillimin e një konference ndërkombëtare për t’i dhënë fund pushtimit, për njohjen e Palestinës nga vendet që nuk e kanë njohur si dhe për të parandaluar financimin e armëve të Izraelit që vrasin fëmijët dhe të pafajshmit”.
“Kauza jonë e drejtë kombëtare po kalon në një fazë të ndjeshme, ndoshta në fazën më të vështirë të historisë tonë të luftës”, tha Abbas i cili shtoi se “Administrata okupuese e Izraelit ka dominuar politikat e saj koloniale dhe raciste dhe ka filluar një sulm sistematik për të ndryshuar statusin historik të qytetit të Kudsit”.
Abbas tha se okupuesit me qëllimin për të eliminuar mundësitë e mbetura për konkretizimin e pavarësisë së Palestinës, krahas politikave të tyre për vendbanimet dhe forcimin e politikës së Aparteidit, ata vazhdojnë bllokadën e padrejtë në Rripin e Gazës dhe organizimin e ritualeve në Xhaminë Al-Aksa duke injoruar ligjin ndërkombëtar.
“Ashtu sikurse nuk është e drejtë të vazhdojmë zbatimin e marrëveshjeve që Izraeli nuk i zbaton, gjithashtu nuk është e arsyeshme dhe pranueshme që okupimi të na ndjekë përgjithmonë. Pavarësisht pranisë së okupimit, ne kemi themeluar një shtet të vërtetë modern duke ndërtuar shumë institucione tona kryesisht ato kombëtare, lokale, private, civile, të sigurisë dhe akademike”, tha Abbas.
Arafat i cili llogaritet si një nga simbolet më të rëndësishme të rezistencës palestineze, ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare në Paris të Francës më 11 nëntor 2004.
Amaneti i Arafatit, presidentit të parë të Palestinës për t’u varrosur në Kuds nuk është realizuar ende për shkak të okupimit izraelit. Ndërkohë është ende çështje e diskutueshme shkaku i vdekjes së Arafatit i cili është varrosur në Ramallah.
Arafat i cili me veshjen dhe karizmën e tij unike shihej si një nga liderët më të rëndësishëm të Lindjes së Mesme, luftoi për pavarësinë e popullit të tij palestinez deri në frymën e tij të fundit. /aa